Ministrja Besa Shahini ka reaguar në lidhje me protestën e sotme studentore.
Në një postim në rrjetet sociale, Shahini thotë se është e trishtuar nga pamja e sotme dhe se ata që dolën para ministrisë nuk ishin studentët protestues.
Për ministren e Arsimit, thyerja e xhamave të godinës së ministrisë janë një shembull i keq i marrë nga protestat e Opozitës dhe jo një sjellje e studentëve shqiptarë.
“Ishte një trishtim për mua, por edhe një cenim i rëndë i imazhit të Studentit Protestues, që sot para Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë një grusht individësh partiakë e rrëmbyen me dhunë masën e vogël të studentëve duke e kthyer në sfond dhune. Thanë se do të vinin të kërkojnë cilësi të arsimit të lartë duke protestuar në të njëjtin vend ku protesta e dhjetorit i hapi rrugën #Paktit kuptimplotë për Universitetin. Por thjesht thyen xhamat e institucionit sipas modelit më të keq të politikës opozitare.
Lajmi i mirë është se sot Studenti Protestues nuk ishte aty, por sidoqoftë trishtimi mbetet dhe turpi u mbetet atyre që lanë nam me “protestën” e kthyer në një shfaqje të teatrit të dhunshëm opozitar. Ndërkohë, ne do të vazhdojmë të mbajmë angazhimet e #PaktitpërUniversitetin, që sot ka sjellë në jetën universitare bibliotekën digjitale, portalin e transparencës, bursat për ekselentët e studentët në nevojë, kantieret për përmirësimin e kushteve nëpër konvikte, zhvillimin e kartës për 110 mijë studentë të universiteteve publike”, shkruan Shahini.