Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta nisi punën sot, ndërsa Kryetari Alket Hyseni,tha se puna e këtij Komisioni do të jetë përtej ndikimeve politike dhe se do të bazohet vetëm te Kushtetuta dhe ligjet.
Anëtari Spartak Braho, propozoi që asnjëri nga anëtarët të mos dalë e të prononcohet në media duke bërë deklarata të pamatura për kreun e shtetit. Kjo kërkesë e tij, gjeti dakordësinë edhe të anëtarëve të tjerë.
Ndërkohë Hyseni ka paraqitur në vija të përgjithshme planin e punës, ku parashikohet edhe thirrja në një seancë dëgjimore e presidentit Ilir Meta si edhe marrjen e ekspertëve të huaj për të dhënë opinionin e tyre.
Ky është komisioni i dytë hetimor që ngrihet për hetimet e shkeljeve kushtetuese për Ilir Metën brenda 2 viteve, ku mazhoranca kërkon shkarkimin e tij nga detyra. Ngritja e këtij Komisionit Hetimor, nuk është njohur nga vetë Meta, i cili përmes zëdhënësit të tij u shpreh se “s’do tolerojë asnjë intimidim nga mafia lokale e ndërkombëtare” dhe se ky vendim ishte antikushtetues dhe antiligjor.
Afati i punës së Komisionit Hetimor i ngritur nga Kuvendi pritet që të jetë një muaj, përgjatë të cilit do të shqyrtohen të gjitha argumentet e ngritura nga Partia Socialiste për shkarkimin e Presidentit.