Gjuajtjet me bomba molotov në protestën e parafundit të Opozitës u dënuan nga policia dhe kryeministri Rama. Opozita nga ana e saj mohoi çdo akt dhune, duke thënë se ato erdhën vetëm pas provokimeve të policisë së shtetit në disa momente të ndryshme.
Këtë të enjet Policia e Shtetit ka nxjerrë edhe videon që tregon momentin e sulmit me bombë molotov nga një protestues. Në njoftimin e shpërndarë për mediet, policia e cilëson personin e ndaluar si i dyshuari kryesor, që ka sulmuar institucionet shtetërore me bomba molotov, kapsolla, flakadanë dhe sende të forta.
Njoftimi i policisë:
Kapet dhe ndalohet një ndër personat, i dyshuar kryesor, që ka sulmuar institucionet shtetërore dhe punonjësit e Policisë me bomba molotov, kapsolla, flakadanë, sende të forta, etj.
Bazuar në prova, pamje filmike, raporte shërbimi dhe prova të tjera të grumbulluara në lidhje me aktet e dhunës ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve shtetërore në protestën djeshme të opozitës të datës 11 Maj 2019, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit M. Q., 40 vjeç, lindur në Tropojë e banues në Tiranë, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime te paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Goditja për shkak të detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”.
Ky shtetas në datë 11.05.2018, në orët e pasdites, gjatë zhvillimit të protestës nga ana subjektit politik Partia Demokratike dhe aleatet e saj, ka kundërshtuar dhe goditur në detyrë punonjësit e Policisë së Rendit, që ishin dislokuar me shërbim para godinës se Kryeministrisë dhe Parlamentit dhe në bashkëpunim me persona të tjerë, ka hedhur bomba molotov, flakadanë, fishekzjarrë dhe kapsolla, në drejtim të forcave të rendit dhe Kryeministrisë.
Nga goditjet, kundërshtimet dhe përdorimi i lëndëve piroteknike, sendeve të forta dhe bombave molotov, kanë mbetur të plagosur 16 punonjës të Policisë, të cilët morën ndihmën në spitalin e Traumës.
Si pasojë e përdorimit të bombave molotov, fishekzjarreve, kapsollave e sendeve të tjera, janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në institucionet shtetërore.
Po punohet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të dyshuar, të përfshirë në këto veprime të kundraligjshme.
Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.