Lajmi i djeshëm i bërë me dije nga ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku u prit shumë keq nga një pjesë e mirë e qytetarëve, që fillimisht pakënaqësinë e tyre e shprehën përmes rrjeteve sociale. Por sot ka ardhur reagimi nga PD. Është ish-deputeti demokrat, Endri Hasa që në rrjetet sociale ka zbuluar momentin se kur është marrë vendimi për të taksuar këtë aks rrugor shumë të rëndësishëm për vendin.
Sipas Hasës, ministrja Balluku gënjeu, pasi vendimi për taksën e rrugës Tiranë-Durrës është marrë që përpara 6 muajsh.
“Për Autostradën Tiranë – Durrës qeveria ka shpenzuar 3 vitet e fundit të paktën 4 milionë euro për veshjen me palma, për ndërrimin e tyre me pisha, për arnimin e gropave dhe për projektimin e zgjerimit. Këto para po hidhen në kosh, sepse Edi Rama dhe Belinda Balluku kërkojnë të grabisin me qindra milionë euro nga paratë e shqiptarëve.”- shkruan Hasa ndër të tjera.
Më tej ish-deputeti thotë se të gjitha këto praktika korruptive do të anulohen me ardhjen e PD-së në pushtet.
Postimi i plotë i Endri Hasës:
Pak ditë më parë Partia Demokratike paralajmëroi shqiptarët se qeveria në ikje e Edi Ramës ka nisur të zbatojë projektin urgjent të grabitjeve të reja të shqiptarëve me moton “të kapim ç’të kapim”.
Një nga këto grabitje është dhënia me koncesion e autostradës Tiranë – Durrës, për kalimin në të cilën shqiptarët nga veriu në jug do të paguajnë nga 2.5 – 5 euro. Në krye të grabitjes së madhe të qytetarëve, Edi Rama ka vendosur kampionen e abuzimeve, Belinda Balluku.
Ministrja e Transporteve i mashtroi sot shqiptarët, kur tha se nuk kishte ardhur koha e detajeve për pagesën.
Fituesi për dhënien me koncesionin të autostradës Tiranë – Durrës dhe bërjen e saj me pagëse është i paracaktuar nga qeveria e Edi Ramës, njësoj si vendimi korruptiv për autostradën Durrës – Kukës.
6 muaj më parë Ministria e Transporteve pranoi publikisht se bërja e rrugës me pagesë është popozim i një kompanie indiane, prapa së cilës qëndron ndërtuesi i stadiumit kombëtar, i përzgjedhur pa garë nga Edi Rama.
Për Austostradën Tiranë – Durrës qeveria ka shpenzuar 3 vitet e fundit të paktën 4 milionë euro për veshjen me palma, për ndërrimin e tyre me pisha, për arnimin e gropave dhe për projektimin e zgjerimit. Këto para po hidhen në kosh, sepse Edi Rama dhe Belinda Balluku kërkojnë të grabisin me qindra milione euro nga paratë e shqiptarëve.
Partia Demokratike u bën thirrje kompanive të mos marrin pjesë në këtë aferë që vjedh shqiptarët, sepse me ardhjen tonë në drejtimin e vendit ky koncesion korruptiv do të anullohet. Askush nuk mund të zhvasë më qytetarët, me qëllimin që të pasurohet për vete.
Në qeverisjen e Partisë Demokratike autostrada Tiranë – Durrës do të mbetet një rrugë kalimi pa pagesë. Modernizimi i saj është plotësisht i mundur me paratë e buxhetit të shtetit.
Sipas vetë projektit të qeverisë, zgjerimi i autostradës kushton rreth 250 milionë euro, ndërkohë që, aktualisht, qeveria e Edi Ramës ka zgjedhur që të paguajë 3 inceneratorë me 178 milionë euro, ndërsa shqiptarëve kërkon t’ua bëjë rrugën me pagesë.
Kjo është një arsye më shumë pse shqiptarët duhet t’i bashkohen kauzës për largimin e Edi Ramës dhe hapjen e mundësisë për zgjedhje të lira e të ndershme. Vetëm një qeveri e dalë nga vota e lirë, nuk do të mendojë për pasurimin e kryeministrit dhe klientëve të tij, por për mirëqenien e qytetarëve të vet.