Votimi është një e drejtë kushtetuese, por jo të gjithë do të kenë mundësinë ta ushtrojnë atë. Janë 1430 persona që nuk iu lejohet të votojnë ditën e sotme. Bëhet fjalë për të dënuar për krime që ligji i pengon të marrin pjesë në zgjedhje.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, janë 600 të dënuar të formës së prerë si trafikantë dhe kultivues droge, 755 të dënuar si vrasës, 39 të dënuar si anëtarë të organizatave kriminale dhe 36 të dënuar si shfrytëzues prostitucioni. Ata janë informuar zyrtarisht se bazuar në ligjin e dekriminalizimit, ndalohen përkohësisht të votojnë.
Ndërkohë janë edhe rreth 2 mijë të dënuar të tjerë që ditën e sotme do të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
Por, a do të votojnë të burgosurit në sistemin e ashpër 41 bis? Ata që janë të dënuar të formës së prerë për terrorizëm nuk do të votojnë. Të paraburgosur si Emiliano Shullazi, së bashku me katër të tjerë për shkak se nuk janë të dënuar të formës së prerë janë të lirë të votojnë.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve iu është drejtuar me kërkesa gjykatave, që të shprehen me vendim lidhur me lejimin për të votuar ose jo të 140 të paraburgosur, që kanë hyrë rishtazi.