Specialisti i IT-së, Gentian Progni, ka reaguar në lidhje me debatin e vjedhjes së të dhënave të shqiptarëve që është krijuar prej ditësh në vend.
Në një postim në rrjete sociale, eksperti ngre një sërë pikëpytjesh në lidhje me prononcimin e AKSH-it i cili u shpreh se të dhënat e qytetarëve shqiptarë që marrin shërbime online përmes portalit unik qeveritar e-Albania nuk ruhen dhe as nuk janë ruajtur ndonjëherë, as nga AKSHI e as nga e-Albania.
Midis të tjerash, drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Linda Karçanaj tha po ashtu se “përveç ndalimit nga legjislacioni në fuqi, nuk ekziston asnjë mundësi teknike që këto të dhënat të përdoren e keqpërdoren, kur as nuk ruhen dot”.
Deklarata e saj solli edhe indinjatën e ekspertit Progni i cili i drejton një sërë pyetjesh për sqarim institucionit të AKSH-it të drejtuar nga Karçanaj.