Koalicioni opozitar “Shpresa për ndryshim”, i regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për garën elektorale të 30 qershorit paralajmëron se mund të tërhiqet. Shkak është bërë klima e pasigurtë, pas dhunës së shfaqur dje në protestë, ku përgjegjëse janë si opozita, ashtu edhe mazhoranca.
Në një letër drejtuar presidentit Ilir Meta, kryeministrit Edi Rama, kreut të opozitës Lulzim Basha, trupit diplomatik të akredituar në Tiranë dhe Ambasadorit të Bashkimit Europian, Luigi Soreca koalicioni shpreh shqetësimin për situatën e rëndë politike të krijuar në vend, që pengon vazhdimin e reformave (në drejtësi dhe atë zgjedhore), si dhe për krijimin e kushteve për zhvillimin normal të procesit zgjedhor të 30 qershorit.
“Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve, të mos përshkallëzojnë dhunën e të mos e çojnë vendin në destabilizim. Populli shqiptar e ka provuar më se një herë se sa i dëmshëm është për jetën dhe të ardhmen e tij lufta për pushtet e PD-së dhe PS-së.
Njëkohësisht i bëjmë thirrje edhe të gjithë qytetarëve të ndershëm, që të mos bëhen vegël e lojës pa princip të dy Partive të mëdha, që po luftojnë se kush duhet ti fusë duart në tepsinë e pushtetit, se kush duhet t’a zhvasë më shumë këtë popull”, theksohet në letrën e koalicionit, cituar nga Albeu.com.
Apel i bëhet edhe Prokurorisë që të mos qëndrojë neutrale në këtë përplasje, por të procedojë çdo demostrim dhune nga çdo anë që vjen, në mënyre që të garantohet demokracia dhe e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.
Në letrën publike theksohet se koalicioni “Shpresa për ndryshim ” është futur në një garë zgjedhore demokratike, me qëllim ndryshimin e mentalitetit politik në Shqipëri, ndaj ajo nuk do të lejojë, që as dhuna e as pazaret e prishuara apo të ndrequra, të bëhen shkak i rivrasjes së demokracisë dhe ligjeve të saj
“Informojmë Instancat ndërkombëtare se shumë nga Komisionet zgjedhore në rrethe, ende nuk janë vënë në funksion, megjithëse afati i dorëzimit të dokumentacionit është drejt mbylljes!
Deklarojmë se ky është një sabotim i qëllimshëm i procesit të lirë zgjedhor i Partisë në pushtet, e cila po e minon procesin ende pa filluar. Ndaj kërkojmë reagimin urgjent të strukturave më të larta përgjegjëse për realizimin e një procesi mirëfunksionues dhe garantimin e votës së lirë!
Në rast të kundërt, ne si koalicion, do marrim vendime të tjera në përshtatje me situatën”, thekson koalicioni parazgjedhor “Shpresa për ndryshim”.