Qeveria ka miratuar dje një vendim për ngritjen e një njësie task-force për kontrollin e administratës publike gjatë fushatës zgjedhore
Vendimi vjen pak ditë para çeljes zyrtare të fushatës zgjedhore të 30 qershorit dhe bën kategorizimin e rasteve ndaluese për administratën që të marrë pjesë në fushatë si edhe ndalimin e përdorimit të aseteve shtetërore për këtë qëllim.
ADMINISTRATA
Vendimi i qeverisë, i përbërë nga 32 pika, kategorizon rastet përjashtimore. Sipas qeverisë, punonjësit të administratës publike i ndalohet të marrë pjesë në takime elektorale gjatë orarit zyrtar të punës. Edhe pas orarit zyrtar, punonjësve publikë i lejohet të marrin pjesë në takime, por jo të shprehin qëndrimet e tyre ndaj kandidatëve apo subjekteve politike.
“Punonjësit të administratës shtetërore, gjatë periudhës së procesit zgjedhor, i krijohen kushtet e nevojshme dhe i garantohet moscenimi i të drejtave dhe lirive themelore, kushtetuese për të shprehur fjalën e lirë dhe për të marrë pjesë në veprimtari politike, brenda kufizimeve dhe ndalimeve, të përcaktuara me dispozita të veçanta të legjislacionit në fuqi, që rregullojnë dhe janë të vlefshme gjatë këtij procesi zgjedhor.
Nëpunësit civil, gjatë pjesëmarrjes në veprimtari, sipas pikës 4, të këtij vendimi, në kuptim të nenit 37, të ligjit nr.152/2013, të ndryshuar, i ndalohet: a) të bëjë fushatë për një subjekt zgjedhor apo kandidat; b) të manifestojë me pankarta, parulla apo çdo mjet tjetër të shkruar dhe të ekspozuar publikisht; c) të jetë protagonist në aktivitetet/veprimtaritë politike apo të kandidatëve”, thuhet në vendim. Krahas kësaj, qeveria ka lejuar që punonjësit e administratës të jenë komisionerë për zgjedhjet, me kushtin që të njoftojnë eprorët e tyre.
“Punonjësi i administratës shtetërore ka të drejtë të angazhohet si komisioner zgjedhor, në përbërje të KZAZ-ve, KQV-ve dhe GNV-ve, pasi të ketë njoftuar paraprakisht me shkrim eprorin direkt dhe njësinë e personelit për këtë veprimtari dhe të ketë marrë lejen me shkrim nga eprori direkt. Angazhimi si komisioner nuk duhet të ndikojë në përmbushjen e detyrave funksionale si pjesë e shërbimit civil”, parashikohet në vendim.
TENDERAT
Vendimi i qeverisë parashikon edhe masa shtrënguese për kryetarët e njësive të qeverisjes vendore. Në një vendim tjetër të posaçëm theksohet se për njësitë e qeverisjes vendore pezullohen të gjitha procedurat e prokurimit publik. Përjashtim në këtë vendim bëjnë tenderat me vlerë të vogël si edhe tenderat me bazë blerje ushqimesh.
“Pezullimin e përkohshëm të fillimit të procedurave të prokurimit nga njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe autoritetet kontraktore në varësi të tyre, për vitin 2019. Përjashtohen nga ky rregull prokurimet me vlerë të vogël; procedurat e prokurimit që kanë si objekt produktet ushqimore”, thuhet në vendimin e qeverisë. Masë tjetër shtrënguese është ndalimi i përdorimit të karburantit të institucioneve shtetërore për fushatën zgjedhore si edhe mosmiratimin e kontratave të koncesionit.
“Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, në zbatim të detyrimeve të tij për organizimin e mbledhjes së Këshillit të Ministrave, të marrë masa dhe t’i parashtrojë Kryeministrit mospërfshirjen në rendin e ditës të projektvendimeve në lidhje me koncesione, kontrata apo angazhime të tilla politike, ekonomike apo sociale që nuk vijnë në zbatim të programit analitik të çdo ministrie/institucioni, siç është miratuar nga Këshilli i Ministrave”, theksohet në vendimin e Qeverisë.
NDALESAT
Heqjen nga rendi i mbledhjeve të Këshillit të Ministrave për kontratat e koncesioneve që nuk janë parashikuar në programin analitik.
Ndalimin e përdorimit të karburantit të institucioneve shtetërore për fushatën elektorale.
Pezullimin e tenderave për njësitë e qeverisjes vendore, duke përjashtuar ato me vlerë të vogël dhe tenderat ushqimorë
Administrata mund të marrë pjesë në takimet elektorale pas orarit zyrtar të punës
Administrata mund të bëhet pjesë e komisionerëve për zgjedhjet vendore pa cenuar kryerjen e punës
Administrata nuk mund të shprehet publikisht për kandidat apo parti Policia, Ushtria, SHISH dhe Garda nuk lejohen të bëjnë fushatë për partitë apo kandidatët.