Ditët e fundit në media kanë qarkulluar lajme sipas të cilave eksponentë të lartë të LSI vijojnë ti bashkohen Partisë Socialiste.
Një prej tyre është dhe ish-deputeti i LSI Vangjel Tavo për të cilin thuhet se shumë shpejt do ti bashkohet veprimit të Nasip Naços, për të kaluar në krahun e Edi Ramës.
Por Tavo në një prononcim për “Standard”, jo vetëm që e ka përgënjeshtruar, por me tone të ashpra ka denoncuar planin dhe tentativën e Edi Ramës për të përçarë opozitën e bashkuar nëpërmjet diversioneve të tilla të ulëta.
“JO. Vangjel Tavo nuk largohet nga LSI. Jam më shumë se kurrë i përkushtuar për largimin e sektit të “Rilindjes” që nuk përfaqëson socialistët e thjeshtë por vetëm një grup shushunjash që thithin gjakun e familjeve të thjeshta. Këto diversione të vjetra të sektit të “Rilindjes” për largime apo sabotime nuk pinë më ujë dhe nuk e shpëtojnë dot nga largimi i sigurt më 25 prill”, ka reaguar ai.