Kryedemokrati Lulzim Basha nga Shkodra, ku ishte i pranishëm në një takim me mbështetës të Opozitës e ka bërë të qartë se PD nuk e njeh Komisionin e Reformës Zgjedhore që ka nisur punën këtë të martë.
Basha ka qenë shumë i ashpër në qëndrimin e tij në lidhje me bashkëkryetarin socialist të këtij Komisioni, për të cilin tha se do duhej të ishte në burg tanimë. Basha e ka cilësuar komisionin që nisi punën sot, si “komisioni i paraburgimit të Damian Gjiknurit me shokë.”
“Për këtë duhet një reformë e vërtetë zgjedhore për të cilën pyeten qytetarët. Kam një mesazh për ata që janë ulur bashkë me Damian Gjiknurin, që duhet të ishte në burg për vjedhje votash, të ulur bashkë me ata që janë kapur në përgjime duke blerë e shitur vota, duke kërcënuar demokratët: Zonja dhe zotërinj, ai nuk është komisioni i reformës zgjedhore. Ai është, në pjesën më të madhe, komisioni i paraburgimit të Damian Gjiknurit me shokë. Asnjë produkt i tyre nuk përbën gjë tjetër veçse një turp. Nuk e njohim, nuk do ta njohim, mos harxhoni kohën kot”, theksoi Lulzim Basha nga Shkodra.