Për vrasjen e Devi Kasmit në seancën e djeshme gjyqësore një nga dëshmitarët me iniciale L.K është shprehur se ngjarja ka ndodhur orës 19:00 dhe janë dëgjuar rreth 5 apo 6 krisma.
Sipas “Panorama”, dëshmitari i dytë me inicialet E.P. tregoi para Gjykatës se Kasmi nuk i kishte shfaqur asnjë shqetësim, megjithëse shtoi ai, nuk kanë pasur një marrëdhënie të tillë. Gjatë dëshmisë së tij ai theksoi se një muaj para se të ndodhte vrasja, ai kishte parë para palestrës një person të maskuar dhe të veshur i gjithi me të zeza.
“Për periudhën që më pyesni, unë kam qenë në punë në parkimin e një palestre pas 15-katëshit. Pronari i kësaj palestre ka qenë i ndjeri Defrim Kasmi. Ditën e ngjarjes kam dalë nga shtëpia dhe rreth orës 12:30-13:00 kam qenë në palestër. Ndërkohë, rreth orës 15:00 kam takuar të ndjerin, ndërsa lajmin për vrasjen e kam dëgjuar në media. Atë ditë nuk kam parë asnjë gjë të çuditshme pranë palestrës, por rreth një muaj para asaj dite kam parë një person të maskuar, që më bëri përshtypje. Ai ishte i veshur i gjithi me të zeza, me kapele dhe vetëm sytë i dukeshin. Më bëri përshtypje se ishte veshur shumë dhe nuk ishte edhe aq ftohtë. Ky person ishte i gjatë, por unë nuk mund ta identifikoj dot, pasi nuk kishte pamje të qartë. Në lidhje me këtë person i kam thënë edhe bashkëshortes së Kasmit, më kanë thënë që nëse do ta shihja sërish, atëherë duhet t’u thosha atyre.”, u shpreh ai.
Për këtë vrasje si i autor i dyshuari kryesor është Efthymiou Efthymious, ndërsa si porositës dyshohet se është Aurel Hoxhallari. Tashmë çështja është në Gjykatën e Krimeve të Rënda.