Pas përfundimit të Samitit të Berlinit, kryeministri Edi Rama ka mbledhur grupin Parlamentar të Partisë Socialiste.
Pas diskutimit të gjerë në lidhje me sigurinë ushqimore, kryeministri është ndalur për herë të parë te kjo temë. Rama tha se produktet shqiptare janë të sigurta dhe provë për këtë është fakti se Bashkimi europian nuk ka kthyer asnjë kamion me produkte nga Shqipëria.
Por kryeministri rama nuk përjashtoi faktin se ekzistojnë subjekte me shkelje dhe për këtë ai paralajmëron ndëshkim me burg për secilin që thyen sigurinë ushqimore.
“kodi Penal ka nevojë për ndryshime në aspekte të tjera të mbarëvajtjes së jetës së vendit. Duke filluar nga siguria ushqimore, e vërteta është se kemi bërë jo pak progres në drejtim të sigurisë. Produktet tona ndryshe nga cfarë përflitet dhe del në ekrane janë plotësisht të shëndetshme dhe për këtë mjafton një fakt, asnjë kamion nuk është kthyer nga BE për shkak të cënimit të standarteve europiane. Por ka individë që fatkeqësisht dhe subjektë që kryejnë krime. Ja kanë hedhur 30 vjet me gjoba që nuk janë asgjë. Por kjo nuyk do vazhdojë më kështu. Këtyre forcave të së keqes që guxojnë të kërcënojnë shëndetin e fëmijëve tanë duhet tu rezervojmë ndëshkimin më shëmbullor të heqjes së lirisë së aktivitetit dhe individuale”, tha kryeministri gjatë fjalës së tij.