Kreu i Partisë Demokratike ka dhënë një deklaratë për mediat menjëherë pas përfundimit të takimit të tij me kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.
Basha është shprehur se nesër do të vazhdojë aksioni opozitar, ku në orën 18.00 do të bllokohen rrugët në 12 qarqe të vendit dhe paradite në orën 11 do të shpalosen detyrat për qeverinë tranzitore.
Ndër të tjera kreu i opozitës ka theksuar se kushti i vetëm i panegociueshëm është largimi i kryeministrit Rama.
“Jemi në krizë të thellë politike dhe kushtetuese totale. Është asgjesuar kushtetuta, themeli i zgjedhjeve. Aksioni opozitar do të vazhdohet, në orën 18 do të vazhdohet me bllokimin e rrugëve në 12 qarqe të vendit.
Paradite në 11 do shpalosim detyrat për qeverinë tranzitore dhe do të punojmë për programet politike të secilës parti opozitare.
Asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin e koalicionit tonë opozitar, largimi i Ramës është kushti i vetëm i panegociueshëm, është shprehur Basha në fjalimin e tij përpara gazetarëve.