Anisa.B
“Shëndetin të kemi, të tjerat rregullohen”! Kjo shprehje gjerësisht e njohur dhe e përdorur për shqiptarët, duket se jo gjithnjë gjen pasqyrim praktik kur bëhet fjalë për t’u kujdesur realisht për veten.
A e dini se mbrojtja e shëndetit mund të kushtojë vetëm 4 euro apo 500 lekë ?
Nëse jo, po jua shpjegoj unë.
Personalisht dua t’ia lë papjekurisë adoleshenteske këtë episod. Vite më parë m’u krijua mundësia të udhëtoja per pushime jashtë Shqipërisë, në një shtet të Europës. E “kurseva” 4-euroshin dhe u gjenda në vështirësi të medha teksa theva këmbën dhe përfundova në urgjencë. Nuk e kisha menduar kurre.
Kursimin e pagova disa herë më shumë dhe pushimet m’u kthyen në mankth. Pas këtij episodi kam “zënë mend” dhe blerja e siguracionit të shëndetit në udhëtim është një nga gjërat e para që bëj në çdo udhëtim, madje pyes hollësisht për përfitimet e tij dhe se si mund t’i marr paratë nëse “larg qoftë” do të përballesha me situata të pakëndshme.
Sigurim do të thotë siguri, do të thotë të garantosh qëndrueshmërinë dhe normalitetin e diçkaje që në këtë rast, është gjëja më e rëndësishme që kemi. Dhe kur është fjala për të nxjerrë mësime, apo për të zbatuar në jetën tonë diçka të nevojshme si sigurimi i shëndetit, veprimi më me vlerë që mund të bëjmë është t’i referohemi praktikës.
Ky lloj siguracioni sot është vullnetar, por njerëzit e qytetëruar nuk kanë pse të detyrohen për mbarëvajtjen e shëndetit të tyre e aq më shumë në një kohë kur kostot e këtij shërbimi janë një faturë e rëndë për buxhetin personal. Është parim bazë.
Me një çmim mesatar prej 4 eurosh për një siguracion shëndeti në udhëtim në vendet europiane, për dy javë qëndrimi, ju mund të përfitoni mbulim të shpenzimeve në spitalet e shtetit pritës deri në 10 mijë euro, në rastet kur edhe pse mund të mos e mendoni, përfundoni me emergjencë në spital për shkak të një aksidenti apo për shkak të fillimit të përkeqësimit papritmas të një sëmundjeje të rëndë.
Me shëndetin nuk luhet! Primi i sigurimit ndryshon në varësi të ditëve të qëndrimit dhe destinacionit të udhëtimit, por në të githa rastet ajo që paguhet është një tarifë minimale në raport me përfitimet.
Teksa paguani për biletën, valixhen, merrni me vete rrobat më të zgjedhura, projektoni fotot më të bukura, jeni përgatitur edhe për ndonjë blerje të vogël andej apo për të provuar ushqimet tradicionale të shtetit ku shkoni, mos kurseni 4 euro.
Është një shpenzim sa dy kafe në vendet e BE-së por që vlen aq shumë për ju, për shëndetin tuaj, që ta bëni gjumin të qetë. Dhe në rast se perballeni me spitalet, mënyra për të marrë paratë që ju takojnë është mjaft e thjeshtë. Me faturën e spitalit dhe recetat e doktorit, paraqituni në zyrat e shitjes së kompanive te sigurimit dhe merrni rimbursmin.
Në rastet kur ju nuk mund të përballoni faturat, mjafton të lidheni me kompaninë dhe do të jetë ajo qe do do vendosë gjërat në “vijë” me spitalin përkatës, qoftë shtetëror apo privat. Me 4 euro po ashtu, paguhen shpenzimet e nevojshme për riatdhesim në rast sëmundje, apo të humbjes së jetës, brenda periudhes se sigurimit për gjatë gjithë periudhës së qëndrimit jashtë territorit të Shqipërisë, deri në vlerën maksimale të përcaktuara në formularin e policës së sigurimit. Mos harroni, interneti ju jep mundësi ta blini on line, pa kosto dhe shpenzim kohe.
Megjithatë, në shkallë kombëtare ndërgjegjësimi është i ulët dhe qytetarët tentojnë t’i shmangin këto “tarifa” që në fakt, vetëm të tilla nuk mund të quhen, pasi janë siguri për shëndetin e tyre. Nëse ndalemi dhe mendojmë seriozisht, në përditshmërinë tonë kryejmë shumë shpesh shpenzime të panevojshme, ndërsa kursejmë një shpenzim të domosdoshëm.
Duket se kjo është pasojë e ndërgjegjësimit të ulët qytetar dhe në këtë pikë, qeveria e cila më së shumti kujdeset për rrirjen e taksave pa përfitime, duhet të shpenzojë pak më shumë energji dhe të ketë në vëmendje rregullimin e këtij tregu përmes legjislacionit, në mënyrë që të mos i transferojë kosto të shtuara tek qytetarët apo edhe tek shtetet pritëse.