Së fundmi, gjithë ç’ka parë a dëgjuar nga bashkëvuajtës të tjerë, Tanush Kaso, kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politikë, e ka treguar në librin “Krimet e komunizmit; një histori e plotë për Mirditën”.
Në tregimet e tij, kanë qenë gjithnjë torturat që u bëheshin femrave. Cilët ishin policët në qelitë e Hetuesisë, të cilët abuzonin mbi gratë dhe vajzat me dhunë fizike e përdhunime? Çnderimet me forcë nga kryepolicët dhe rastet e vdekjeve që u jepnin fund vuajtjeve pa motiv. Kaso u lind në Tiranë, në vitin 1934. Pas mbarimit të shkollës pedagogjike në qytetin e Tiranës, shërbeu për disa vjet si arsimtar në fshatrat e kryeqytetit e të Peshkopisë.
Më 1961, teksa vazhdonte të punonte si arsimtar në fshatrat e Tiranës dhe ndiqte me korrespodencë Fakultetin e GjuhëLetërsisë në vitin e tretë, u arrestua “me akuzën e pjesëmarrjes në një grup armiqësor kundër pushtetit, që kishte si qëllim krijimin e një partie social-demokrate”.
Më 11 gusht 1962, me vendim nr. 113, Gjykata Ushtarake e Tiranës e deklaroi fajtor “për tradhti ndaj atdheut” dhe “agjitacion e propagandë” dhe e dënoi me 13 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë të tundshme e të patundshme dhe humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet kohë. Pas kryerjes së dënimit, u shtrëngua të punonte punë nga më të rëndat… Kjo është vetëm një pjesë e dëshmive të tij, nga më të rëndat.
PJESË NGA LIBRI
Në vitin 1945-1946, në Mirditë vepronin rreth pesëqind të arratisur antikomunistë, të ndarë në çeta të vogla. Kjo përbënte rrezik për regjimin e Tiranës, i cili e vuri si detyrë parësore zhdukjen e tyre me çdo mjet e mënyrë të mundshme.
U përzgjodhën elementët që do të vepronin atje, midis atyre që kishin dhënë prova të barbarisë së tyre mbi fshatarësinë e Jugut, veçanërisht mbi atë të lumit të Vlorës, të Kuçit e Bolenës, ku kishin ndeshur në qëndresën e armatosur të çetës së Lahe Nuros e të Izet Vrazhdos dhe ku kishin ushtruar një terror të paparë në historinë e atyre vendeve duke mos kursyer as pleqtë, gratë dhe foshnjat e djepit.
Një nga ato kafshë me fytyrë njeriu ishte edhe një i quajtur Hodo Habibi, nga fshati Kuç i Kurveleshit. Edhe pse pa kurrfarë tradite familjare dhe i pashkollë, për ‘meritën’ e barbarisë së treguar në reprezaljet komuniste, atij i kishin dhënë gradën ‘toger’ i Forcave të Ndjekjes dhe dyqind ushtarë nga pas.
U vetëquajt Toger Baba dhe kështu nisën ta thërrisnin të gjithë: vartësit, eprorët dhe populli. Të paktë ishin ata që e dinin se ai quhej Hodo Habibi dhe se ishte nga Kuçi i Kurveleshit. Kryekrimineli Mehmet Shehu i kishte dhënë të ngjashmit të vet kompetenca të plota dhe njëfarë ‘Carta Bianca”, që i lejonte të bënte çfarë të donte mbi ‘popullin armik’ të Mirditës katolike.
I dehur nga fuqia që i kishin dhënë, ai nisi veprimtarinë e tij në Mirditë, me fushatën e çarmatimit. Urdhëroi që dyert e çdo shtëpie mirditore të liheshin hapur, ditën dhe natën, deri në një urdhër të dytë, mbasi do të ushtroheshin kontrolle të befasishme nga Forcat e Ndjekjes, për armë dhe për të arratisurit politikë. Një gjë e tillë nuk kishte ndodhur kurrë në Mirditë, që nga krijimi i saj.
Por, shpejt u pa se qëllimi i toger Hodos kishte qenë i dyfishtë: të kryente detyrën qeveritare dhe njëkohësisht të përmbushte epshet e tij shtazore, duke përdhunuar gra e vajza të pambrojtura. Bashkë me ‘trimat e tij’, ai grabiste edhe sende me vlerë, që ruheshin nëpër sepetet e shtëpive fisnike, të zotët e të cilave ishin pushkatuar ose ndodheshin në arrati.
Siç shkruan heroi i rezistencës antikomuniste, Nikoll Mëlyshi, në faqet 279-280, të librit të tij “Ngjarje Historike: ‘U kërcente grave në shtrat, për t’i shnderue me përdhunë, tue i friksue me kobure në dorë; u kishte marr ftyrën shumë femnave, por nuk guxonte as kurrkush me ba ankesa, se do t’i delte shpirti pre drunit të ‘Babajt’.
Kur delte drita, i mblidhte katundarët në nji shesh në qendër të katundit dhe i urdhnonte qi të bashin nji zjarr të madh me dru shumë e mandej i zhvishte popullin lakuriq dhe i lidhte të gjithë me konop dorë për dorë rreth e përqark atij zjarri dhe kapte drun dhe u binte shpinës, qi të afrohen zjarrit e të digjen.
Mandej, kur lodhej vet, i zgjidhte dy ose tre ma të fortit dhe iu jepte dajakun në dorë e i urdhëronte të silleshin ata mbi shokët e vet të lidhun duersh. Ndonjiher i zgjidhte të gjithë dhe i bante me forcë të sjellin me dru njani me tjetrin; dhe kur shifte se ndonjani nuk po e përdorte krejt fuqinë e drunit, atëherë Babaj atë njeri e shtronte përdhe dhe ia nxirrte shpirtin me dru.
E kur togeri kishte ba qejfin e tij me të rrafunat, e qi kur fillonte bora me akull, po kështu i zdeshte burrat dhe i detyronte të hyjshin në ujë të ftoftë të lumit Fan i Vogël. Ky barbar i popullit, kur hynte nëpër pyje, gjoja për ndjekje t’arratisunish, merrte me vete si udhëhekëse dy ose tri gra ma të mirat dhe mbasi i shkërdhente 10-15 ditë, i lironte gratë e shkreta dhe shkoshin në shtëpijat e tyne të turpnume dhe të laskaryueme e të levrozueme nga përdhunimi i toger Babës”.
FUNDI TRAGJIK I GRAVE QË KUNDËRSHTUAN TOGER BABËN
I pari i vendit, kryekomunisti Bardhok Biba, dhe komunistët e tjerë mirditorë, nuk reagonin fare, por i miratonin në heshtje veprimet antiligjore dhe çnjerëzore të Toger Babës me shokë. Këto çështje ata nuk i ngrinin as në mbledhjet e organizatës bazë të Partisë dhe as nuk i raportonin në Komunitetin Qendror. Ndërsa fshatarëve u kishte hyrë frika në palcë dhe nuk guxonin të hapnin gojën se i priste vdekja pa gjyq. Kështu ishin pushkatuar prej tij: Gjok Marka Ndreca, Marka Preng Zefi, Marka Ndrec Bajraktari, Ndue Nikoll Ndoka, Frrok Nikoll Ndoka e shumë të tjerë.
Vetëm gruaja e këtij të fundit mori guximin ta kundërshton te me fjalë të ashpra togerin e kuq, kur ai urdhëroi që ajo të zhvishej lakuriq përpara të gjithë të pranishmëve. Ajo e kërcënoi se do të shkonte në Tiranë dhe do ta raportonte tek Enver Hoxha. Emri i “Komandantit legjendar” e bëri të mendohet Toger Babën dhe e prapësoi urdhrin e dhënë. Mbasi bëri një mijë të zeza në krahinën e Fandit, në tetor të vitit 1946, ai me forcat e veta u shpërngul dhe shkoi në Bajrakun e Spaçit.
Sapo u vendos në Kodër të Spaçit, arrestoi të gjithë burrat e atij vendi, rreth dyzet vetë. I zhveshi lakuriq, i lidhi me litar dorë përdore dhe i nisi në këmbë për në katundin Mushtë të Bjeshkëve të Munellës që ishte tri orë larg. Aty, i futi në stallë lopësh me baltë e mbeturina, ku kaluan natën si të burgosur.
Të nesërmen i vuri përpara si bagëtinë dhe o çoi në katundin Kimëz, ku ishin grumbulluar edhe fshatarë të tjerë nga Gjegjani, Shkoza, Gojani etj. Mblodhi popullin, me burra e gra, dhe para të gjithëve rrahu rëndë priftin 65-vjeçar, Dom Nikoll Kimza, të cilin pastaj e nisi për në burgun e Shkodrës. Mandej urdhëroi që të zhvishej lakuriq gruaja e Preng Gjon Markut, Dila.
Por meqenëse ajo kundërshtoi ashpërsisht, Togeri dha urdhër që të ndizej zjarr i madh dhe Dila të digjej me gjithë rroba. Ndërkohë, burri i saj, Prenga, mundi t’i zgjidhë duart dhe u largua me vrap në drejtim të maleve. Por, policët dhe ushtarët e Hodos e ndoqën dhe e vranë. Kjo ngjarje u përhap nëpër fshatrat përreth.
Mbas disa ditëve, fjala i shkon edhe kushëririt të Prengës, Pal NIkoll Prendit, i cili ishte duke kryer studimet në Moskë, të Rusisë (rast i rrallë ky për mirditorët). Ai preket e zemërohet së tepërmi nga këto veprime kriminale. Kërkon disa ditë leje të kthehet në Tiranë, ku menjëherë i drejtohet udhëheqjes së lartë të Partisë Komuniste dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Koçi Xoxe, të cilëve ua përshkruan atë që po ndodhte në Mirditë./Panorama