Disa ditë pas regjistrimit në KQZ dhe debatit politik, “Panorama” ka zbuluar dhe një fakt interesant në listën e personave që kanë firmosur për krijimin e ‘Bindjes Demokratike’.
Në listën e firmëtarëve të BD-së së Patozit, figuron dhe emri i bashkëshortes së Geron Xhafaj, vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Në dokumentin e depozituar në Gjykatë, figuron emri i Elvana Përparim Xhafajt, banuese në Vlorë.
Nga verifikimi në regjistrimin e gjendjen civile, rezulton se ajo është bashkëshortja e Geron Xhafajt, vëllait të ish-ministrit socialist.
Geron Xhafaj që prej rreth një viti ka qenë në qendër të debatit politik, për shkak të akuzave të PD-së se ai merrej me trafik lëndësh narkotike edhe pse ishte i dënuar në Itali për këtë vepër penale.
Nuk dihet nëse bashkëshortja e Geron Xhafajt është më bindje të djathta dhe nëse ajo personalisht ka dhënë firmën për të krijuar partinë e re opozitare, por ajo që bie në sy është fakti se lista e firmëtarëve për Bindjen Demokratike, të krijon dyshimin se është hedhur nga një dorë e vetme.
Disa ditë më parë edhe News 24 zbuloi se disa qytetarë nga Kavaja, të cilët kanë bërë ankim në gjykatë kundër Bindjes Demokratike, duke e akuzuar se ka përdorur firmat e tyre për themelimin e partisë.
Padia është firmosur nga Zyber Molla, Shyqyri Proshka, Mehmet Sheme dhe Mirjan Krasniqi.
Ndërkohë që shtetasi tjetër, Dritan Agushi, ka theksuar se ai ndodhet jashtë shtetit dhe se nuk ka dhënë asnjë firmë për krijimin e partisë së Patozit.
Marë nga Panorama