Ish-Imami Oltion Veseli, është njëri nga personat që ka marrë pjesë në grabitjen e parave në pistën e Aeroportit të Rinasit. Burime nga Policia e Shtetit shprehen se Oltion Veseli ka qenë pjesë e grabitësve që hyjnë në Rinas dhe që u arrestua dy ditë më parë. Bashkëpunëtorët e tjerë Aldon Bengasi, Renaldo Sula dhe Saimir Cela, kanë ndihmuar për të kryer grabitjen, por nuk kanë qenë në pistë.
Ndaj tyre është ngritur edhe akuza e “vrasje e Punonjësve të Policisë “ e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë”, që përfshin momentin kur ndodhi shkëmbi i zjarrit me forcat e FNSH-së ku mbeti i vrarë Murataj, akuza e “Grabitjes” dhe “Grup i Strukturuar Kriminal”.
Lidhje shoqërore të Klement Çalës të kërkuar për grabitjet e mëparshme dhe i dyshuar edhe për të fundit si dhe të njohur të Dash Kupës, vëllait të Ilir Kupës janë mes të arrestuarve nga policia. Bengasi rezulton një emër i njohur për Policinë e Shtetit pasi është ndaluar edhe në 2015 së bashku me Klement Çalën personin më të kërkuar si të përfshirë në këtë grabitje.
Ndërkohë Oliton Veseli, që është njeri nga autoret e grabitjes rezulton se ka qenë në Jemen me studime, me pas ka ikur në Afganistan dhe është burgosur nga amerikanët për terrorizëm.
Më parë rezulton të ketë qenë imam në xhaminë e Krujës, ndërsa vëllai i tij administron “Pizzeri Kupa Hallall” në Fushë-Krujë, pas së cilës dyshohet se fshihet Dash Kupa i dënuar për grabitjen e autoblindave me para të bankave në Qafë-Kashar më 2017-ën.
Si u identifikua grupi
Policia sqaron se janë përdorur teknika speciale hetimi mes tyre përfshi përgjimet, vëzhgimet në terren si dhe hapjen e dosjeve të vjetra mes të cilave rezultojnë të përfshira grupet e Admir Muratajt dhe Ilir Kupës, njohur edhe si kreu i babagjyshave grabitës. Një ditë më parë në fshatin Karakullak të Elbasanit u zbulua edhe servisi ku ishte modifikuar furgoni i grabitjes me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”.
Servisi është në pronësi të Gentjan Sharrës, që nuk dyshohet të ketë lidhje me ngjarjen, pasi 1 vit më parë ja kishte shitur servisin pa kontratë noteriale, Eldi Çalës. Ky i fundit është shoqëruar dje në polici, dhe pasi është marrë në pyetje është lënë i lirë.
Mbetet mister fakti pse u lirua pas shoqërimit dhe sot është shpallur sërish në kërkim. Ai është vëllai i Klement Çalës, person në kërkim dhe i dyshuar të ketë qenë krahu i djathtë i Admir Muratajt. Të dy së bashku, ata janë autorë të disa grabitjeve të mëparshme në Greqi dhe në Shqipëri.
100 metra larg servisit një vilë tre katëshe në pronësi të njërit prej të arrestuarve, Saimir Çelës, pritet të hedhë dritë mbi atë se çfarë mund të ketë ndodhur në servis, pasi janë sekuestruar kamerat e jashtme të sigurisë së vilës.
Çështja është konsideruar “top sekret” për shkak se hetimet ende vijojnë për të kapur bashkëpunëtorët e grabitjes së miliona eurove më 9 prill në aeroportin e Rinasit. Në total janë lëshuar 12 urdhër ndalime, që do të thotë se 12 është edhe numri i personave që dyshohet të jenë përfshirë në super-grabitje në role vepruese e mbështetëse. Gjyqtari Bibë Ndreca ditën e Martë në orën 12:30 do të vendosë për fatin e 4 të arrestuarve, sjkruan TPZ.
Servisi ku u modifikua furgoni “Hetimi Tatimor” në Elbasan
Autorët e grabitjes çajnë rrethimin e Rinasit
Të arrestuarit në Elbasan Aldon Bengasi, Renaldo Sula dhe Saimir Cela: