Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se caktimet e përkohshme të kryera nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku dhe më pas KLP, kanë përfshirë 16% e trupës së prokurorëve dhe mbi 47% e drejtuesve; fenomen ky që ngre shqetësime për tejkalim të ligjit dhe cënimin e sigurisë juridike të magjistratëve.
Më 22 shkurt 2019, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi të ndërpriste caktimin e përkohshëm të prokurorit Ardian Nezha në Tiranë dhe rikthimin e tij në Prokurorinë e Pukës. Shkak u bë një kërkesë e prokurores së vetme të mbetur në Pukë, së cilës i duhej të përballej edhe me çështje penale kundër kushërinjve të saj.
Vendimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë u prit me pakënaqësi nga prokurori Ardian Nezha, i cili dorëzoi menjëherë dorëheqjen nga detyra e prokurorit.
“E kam të pamundur për arsye familjare të shkoj sërish në Pukë dhe e quaj mosvlerësim këtë transferim të dytë,” tha Nezha për BIRN më 29 mars.
Pas 11 viteve punë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ish-prokurori Nezha u përfshi në transferime të njëpasnjëshme. Në vitin 2015, ai u emërua në Pukë nga ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, ndërsa me ardhjen e Arta Markut të krye të Prokurorisë, Nezha u komandua drejtues i Prokurorisë së Elbasanit. Qëndrimi i tij në Elbasan zgjati vetëm disa javë dhe pas paraqitjes së dorëheqjes, ai u caktua përkohësisht në Prokurorinë e Tiranës.
Nezha nuk ishte i vetmi prokuror “tranzitor” në Shqipëri. Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes një kërkese për të drejtë informimi tregojnë se thuajse gjysma e drejtuesve të Prokurorive në shkallë vendi dhe rreth 16 për qind e trupës së prokurorëve e kryejnë detyrën e tyre në kushtet e e caktimit të përkohshëm apo të komandimit-akte këto që në shumicën e tyre e kanë tejkaluar afatin ligjor të përcaktuar nga ligji.
Sipas të dhënave të siguruara nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, 18 nga 38 drejtuesit e prokurorive në Shqipëri janë të komanduar përgjatë viteve 2017-2019. Por shefat e Prokurorive janë vetëm një pjesë e listës prej 49 prokurorësh, që e kryejnë detyrën e tyre larg vendit të emërimit.
Numri i prokurorëve të komanduar zë rreth 16% të trupës së prokurorëve në vend. Ndërkohë, 38 prej tyre rezultojnë se gjenden në postet aktuale në tejkalim të afateve ligjore të përcaktuara në ligjin 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
BIRN i drejtoi pyetje Prokurorisë së Përgjithshme dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë për tejkalimin e afateve ligjore të komandimeve dhe se cila ishte zgjidhja për këtë situatë kaotike të krijuar në Prokurori. Deri në botimin e shkrimit, as Prokuroria e Përgjithshme dhe as Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk kthyen përgjigje.
Prokurorët “tranzitorë”
Praktika e komandimeve të shpeshta dhe të pamotivuara të prokurorëve ishte një ndër kritikat që iu adresua ish-kreut të Prokurorisë së Përgjithshme, Adriatik Llalla. Gjatë mandatit të tij, një numër i konsiderueshëm drejtuesish e kryenin funksionin në kushtet e komandimit.
Situata u rëndua me hyrjen në fuqi të legjislacionit të reformës në drejtësi, e cila linte në duart e kryeprokurorit vetëm të drejtën për caktime të përkohshme, në kuadër të mbarëvajtjes së punës.
Me ngjitjen e Arta Markut në krye të Prokurorisë në dhjetor 2017, një valë e re komandimesh e përfshiu sistemin e prokurorisë. Kjo situatë shtyu trupën gjykuese të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të kryente verifikime gjatë hetimit administrativ për Arta Markun.
Edhe pse konstatoi se këto lëvizje ishin të ligjshme, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit arriti në përfundimin se kryeprokurorja e përkohshme kishte dështuar të aplikonte një metodologji për riorganizimin e Prokurorisë.
“Që nga riorganizmi i nisur në Janar 2018 nuk është bërë asnjë hap për të miratuar një procedurë,” tha relatorja e vetingut të Markut në KPK.
Thuajse një vit më pas, çështja e komandimeve është rikthyer disa herë për diskutim në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, pa gjetur ende një zgjidhje.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se nga 49 komandimet që janë aktualisht në fuqi, 38 janë firmosur nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku dhe 11 të tjera nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se 18 drejtues të prokurorive të shkallës së parë apo të Apelit nga 38 gjithsej e ushtrojnë funksionin e tyre me caktime të përkohshme.
Pavarësisht se ligji “për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” përcakton si afat maksimal për caktimet e përkohshme afatin 3-mujor, dhjetë komandime vazhdojnë që nga 2017 ndërsa 28 të tjera kanë ndodhur gjatë vitit 2018.
Gjithashtu, rezulton se në prag të konstituimit të KLP-së, në nëntor 2018 dhe në ditët e para të dhjetorit, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku ka firmosur 13 caktime të përkohshme pa afat.
Mes listës së siguruar nga KLP, Prokuroria e Tiranës rezulton më e prekura nga komandimet. Përgjatë periudhës dhjetor 2017-mars 2019, katër prokurorë të Tiranës janë transferuar në rrethe dhe 10 prokurorë të tjerë janë sjellë në Tiranë.