Duket se edhe Partia Socialiste po përgatitet bindshëm për zgjedhjet elektorale të 25 prillit 2021.
Këtë gjë e tregon dhe lëvizja më e fundit e kësaj force politike.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama, i cili ka prezantuar sot një platformë të re dixhitale, më anë të së cilës anëtarësia e PS do e ketë më të lehtë ndjekjen e aktiviteteve të partisë.
Gjithashtu në këtë platformë ata do të kenë mundësi të vlerësojnë deputetët e qarqeve me pikë, ndërsa secili anëtar do të ketë një “çelës” të personalizuar digjital për patur akses në platformë.
Kreu i qeverisë u shpreh se kjo iniciative do ta ndihmojë Partinë Socialiste për të zgjedhur ekipin përfaqësues në zgjedhjet e 25 prillit, ndërkohë që në ditët në vazhdim do të merret mendimi i të gjithë qytetarëve në lidhje me deputetët e PS përmes kësaj platforme.
“Hapim platformën digjitale e cila krijon një hapësirë të përbashkët të një komunikimi shumë të shpejtë brenda familjes sonë politike, ku çdo anëtar ka akses përmes një çelësi personal dixhital në këtë platformë dhe mund të marr pjesë në të gjitha proceset brenda platformës, që nga vlerësimi i deputetëve te diskutimet e brendshme, proceset e ndërveprimeve në funksion të marrjes në kohë reale të informacionit nga qendra, të shkëmbimit në kohë reale të informacioneve nga qendra, të ndjekjes së aktiviteteve përmes telefonit apo kompjuterit dhe të pasjes mundësisë për të adresuar drejtpërdrejtë deputetin apo kryetarin e paritsë ose strukturat e tjera.
Është një hap i parë i cili do të ndiqet nga hapa të tjerë sipas një plani që kurorëzohet në 25 prill, por procesi dhe ndërveprimi vazhdon edhe më tej. Duam që e gjithë jeta e partisë të marrë një hov të ri dhe të gjallërohet më tej pa pasur nevojë të pritet mbledhja e radhës apo lajme nga kanale të tjera.
Partia Socialiste është shumë më e madhe se sa anëtarësia e saj, ka një mbështetje disa fish më shumë se sa anëtarësia, por është anëtarësia që ka barrën të bëjë urën mes partisë dhe publikut. Si platformë është një mekanizëm që rrit respektin për çdo anëtar të partisë sonë politike dhe sigurisht që ky është hapi i parë, pasi duam që modernizimi i ndërveprimeve dixhitale të shkojë më larg se kaq, pasi duam të përfshihen jo vetëm anëtarët e partisë në Shqipëri por edhe jashtë. Të gjithëve do t’u shkojë një letër e personalizuar me postë, me çelësin përkatës individual për të aksesuar platformën dhe presim të ketë një intensifikim të marrëdhënies me përfaqësuesit.
Ne do të bëjmë këtë proces për të dëgjuar çdo anëtar partie lidhur me deputetët në qarkun e vetë. Ata do të japin vlerësim me pikë nga 1-5. Do të na ndihmojnë shumë për krijimin e skuadrës që do të fitojë në 25 prill. Në ditët në vijim do të hapim një proces tjetër, përmes platformës të PS, i ndarë në dy grupe, jo vetëm për anëtarësinë e PS, por për të gjithë publikun, lidhur me deputetët që njerëzit duan. Do t’u japim mundësi të gjithëve të japin opinione lidhur me figura që gëzojnë respekt dhe kanë mbështetje në komunitete të ndryshme”, tha Rama ndër të tjera.