Ditën e sotme gjykata e Tiranës ka marrë vendimin për të caktuar masën e sigurisë “ arrest me burg” për Agron Tanushin, i cili ka vrarë kunatën e tij Jetmira Hasani në Bathore.
Tanushi e ka pranuar krimin sot përpara togave të zeza, duke thënë se shkak u bënë konfliktet për pronësi.
Seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura, por mësohet se 31-vjeçari ka pretenduar se ditën e vrasjes i kanë ardhur disa të rinj në shtëpi që sipas tij e kanë kërcënuar.
Ndër të tjera ai pretendon se është dorëzuar me vullnetin e tij në komisariat.
31-vjeçari u arrestua dy ditë më parë nga Policia, për vrasjen me armë zjarri të kunatës së tij. Jetmira Hasani ishte ndarë nga bashkëshorti, vëllai i Agron Tanushit, por jetonte në shtëpinë e tyre, në katin e parë.
Prej kohësh Tanushi i kishte thënë asaj të largohej, por ajo vazhdonte jetonte aty. Kësisoj ai ka marrë armën dhe ka qëlluar mbi të. Në fillim u tha se krimi ndodhi për shkaqe morali, por e gjitha kishte në thelb pronën.
E ndjera ka ndërruar jetë rrugës për në spital. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar 4 gëzhoja, në cilësinë e provës materiale, ndërsa në momentin e vrasjes viktima ishte së bashku me fëmijën 8 vjeç dhe po zhvendoste sendet nga shtëpia. Si viktima dhe autori kanë qenë të pajisur me urdhër-mbrojtje.