Disa ore pas publikimit të pamjeve në rrjetet sociale, ku shfaqej shoferi i një makine “Renault” që tërhoqi zvarrë një qen pasi ishte vrarë, Policia e Shtetit e ka shoqëruar autorin për në komisariat.
Sipas njoftimit zyrtar bëhet fjalë për një 50-vjeçar nga Sukthi, F.P., dhe tashmë është proceduar penalisht për veprën penale të keqtrajtimit të kafshëve.
NJOFTIMI ZYRTAR I POLICISE
Duke marrë shkas nga një foto e publikuar në rrjetet sociale, ku paraqitej një kafshë shtëpiake (qen), duke u tërhequr pas një makine, në Sukth, Durrës, ju sqarojmë se: Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës menjëherë identifikuan dhe shoqëruan në ambientet e Policisë, bashkë me mjetin e tij tip “Renault”, shtetasin F. P., 50 vjeç, banues në Sukth, Durrës. Në vijim të veprimeve u procedua penalisht shtetasi F. P., për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshëve” parashikuar nga neni 207/c paragrafi 2 si dhe nga shërbimet e Policisë të Qarkullimit Rrugor është vendosur masë administrative në bazë të dispozitave të Kodit Rrugor, sipas neneve 158, 182 dhe 139/14/5/8. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme. Policia e Durrësit fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital, çdo rast të paligjshmërisë në tërësi, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.