Flet fotoreporteri Arben Dajçi pas lëndimit në protestën e së shtunës ku u shfaq i gjakosur.
Dajçi ka bërë përgjegjës personat e infiltruar si shkaktarë të rrëmujës e akteve të dhunës ndërsa ka pohuar se pas incidentit shumë miq i kanë telefonuar dhe i kanë qëndruar pranë.
Ai u shpreh se u dhunua nga Policia gjatë momentit që ai ndodhej mes turmës.
”Në momentin që u godita isha mes turmës dhe policisë. Nuk i ndjeva, vetëm kur më thanë shokët je gjakosur. Goditja ishte nga ana e Policisë. Ishte aq e shpejtë goditja sa nuk u arrit as të filmohej.” tha Dajçi.
I pyetur nga FaxNews nëse do vazhdojë të dalë në protestat e opozitës, Dajçi tha:
“Do dal padiskutim. Unë jam një nga demokratët e parë, jam familje demokratësh dhe nuk i hedh dot poshtë se kam vuajtur gjithë jetën”.
Dajçi merr pjesë në protestat e opozitës si demokrat në bindje dhe si fotoreporter për të kryer punën e tij që të paraqesë realitetin.