Dikur bashkë në parti, tani duket se ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani nuk i kursen më kritikat ndaj presidentit Ilir Meta.
Edhe pse më parë ishte pjesë e LSI, Manjani shprehet se shteti shqiptar ka degjeneruar tërësisht pasi prej 3 vitesh nuk ka më Gjykatë Kushtetuese, 4 pa Gjykatë të Lartë dhe tashmë dhe Apeli është mbyllur.
Në shpërthimin e tij, gjatë një deklarate në RTV ORA, Manjani u shpreh se duke filluar nga Presidenti, kryeministri dhe deri te ministrat e marrin rrogën të gjithë kot pasi ata e kanë shkrirë shtetin.
“Çfarë është ky eksperiment, shkrihet gjykata, duartrokitet nga ndërkombëtarët?! Ky është një budallallëk! Faleminderit për ndihmën dhe lekët që vetë i japin e i marrin. Ka 3 vite vendi pa gjykatë kushtetuese. Ka 4 vite pa Gjykatë të Lartë, prandaj bën qejf qeveria. U mbyll edhe gjykata e apelit.
Pa apelin nuk ka gjyqe më. Një shtet pa gjykata nuk është më shtet, pushtet po. Ky është një shtet pa komandë, i degjeneruar komplet, duke filluar nga presidenti, kryeministri, ministrat marrin rrogën kot se e kanë shkrirë shtetin. Të gjithë kanë bërë një krim të madh që është shkatërrimi i shteti.
Është thënë që shqiptarët nuk dinë të bëjnë shtet dhe ja ku jemi në vitin 2020, për turp e faqe të zezë. Të dalim të bëjmë shqiponjën si laraska dhe ta quajmë veten shtetar”, deklaroi ndër të tjera Ylli Manjani.