Ditën e sotme një i dënuar në burgun e Drenovës ndërroi jetë si pasojë e infektimit me COVID19.
Mësohet se viktima është Çaush Banaj, i cili ndodhej i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”, për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Por ai nuk ka mundur ta fitoj dot këtë betejë, duke ndërruar jetë në moshën 74-vjeçare.
Banaj rezulton i dënuar me 25 vite burg për vrasje .
Ngjarja ka ndodhur në vitin e1997 në zonën e Ballshit.
Bëhet fjalë për një vrasje të trefishtë, ku ai është dënuar bashkë me djalin e tij Enkelejdin.
Historia
Çaush e Enkelejd Banaj, babë e bir kanë pasur në pronësi një ndërtesë dy katëshe, kati i parë i së cilës shërbente si bar -restorant, ndërsa kati i dytë si ambient banimi.
Në datën 27.06.1997, rreth orës 20.00, në lokalin në pronë e Banajve kanë shkuar për të ngrënë darkë shtetasit Gentjan Nuhaj, Luftar Shehaj dhe Afrim Nuhaj, që të tre banorë të fshatit Usojë të Rrethit Mallakastër.
Pasi kanë përfunduar darkën në verandën e lokalit, ata kanë debatuar me Çaushin, pasi kishin pretendime në lidhje me pagesën. Menjëherë pas debatit të krijuar, Çaush Banaj futet brenda në lokal dhe pasi bisedon me djalin e tij, Enkelejdin, vendosin të reagojnë me armë ndaj tre klientëve të tyre.
Çaush Banaj merr një pistoletë dhe pasi del nga prapa një kolone të lokalit qëllon mbi viktimat, ndërsa Enkelejdi qëllon nga ballkoni i katit të dytë, po mbi viktimat, me një automatik. Nga goditjet që bëjnë bab e bir është realizuar vrasja e të tre shtetasve.
Më pas të afërmit e tre viktimave kanë shkatërruar ndërtesën dy katëshe pronë e të gjykuarve.