Po arrihet gati një vit që prej shpërthimit të pandemisë së koronavirusit dhe shumë grupe shkencëtarësh po punojnë për krijimin e një vaksine kundër COVID-19.
Por pavarësisht shërimit nga ky virus vdekjepurës, personat që arrijnë të fitojnë këtë betejë, përballen me dëmtime që Covid-19 ka lënë në trupin e tyre.
Së fundmi një grup mjekësh gjermanë kanë raportuar se po merren me studimin e pasojave afatgjata tek pacientët me Covid-19. Ata thonë se edhe nëse e kalon lehtë infektimin, ky virus ka aftësinë të dëmtojë rëndë edhe tek të rinjtë disa organe që shkaktojnë probleme në të ardhmen.
Kreu i grupit studimor, prof. dr. Stefan Schreiber, mendon se virusi SARS-CoV-2 mund të përshpejtojë procesin e plakjes tek personat e infektuar.
Teksa ka folur për mediat e huaja ai ka thënë se përveç pasojave specifike të sëmundjes, virusi Corona përshpejton gjithashtu edhe proceset e plakjes së organeve të brendshme, por fillimisht pa u kuptuar.
Një 30-vjeçar që infektohet tani me Covid-19 mund të ketë pas dy vjetësh mushkëritë ose zemrën e një 40-vjeçari, apo pas dhjetë vjetësh mushkëritë ose zemrën e një 60-vjeçari.
Një nga fushat e studimeve të prof. dr. Stefan Schreiber dhe grupit të studimor në Qendrën Mjekësore Universitare Schlesëig-Holstein në Kiel janë lidhjet mes infeksioneve kronike dhe procesit të plakjes.
Pavarësisht se Covid-19 prek kryesisht rrugët e frymëmarrjes ose mushkëritë, ai në fazën akute mund të prekë shumë sisteme të organeve të tjera.
Në bazë të të dhënave aktuale të hulumtimeve mjekët supozojnë se prej Covid-19 mund të ndodhin edhe dëme afatgjata të organeve. Studime të ndryshme tregojnë gjithashtu se dëmtime të tilla të përhershme janë të mundura edhe nëse dikush e kalon sëmundjen lehtë.
“Covid-19 është një sëmundje endoteliale. Endotele quhen qelizat që krijohen tek muret e enëve të gjakut. Ato gjenden kudo ku në trupin tonë ka enë gjaku. I ashtuquajturi endotel është si të thuash organi ynë më i madh. Dhe me sa duket endoteli është një nga pikat e preferuara të viruseve. Përmes infektimit të këtyre qelizave infeksioni përhapet më tej tek organet e tjera .”- u shpreh Schreiber.