Pas denoncimit të bërë nga Partia Demokratike me anë të ish-deputetit Bardh Spahia, i cili akuzoi qeverinë dhe ministrinë e Shëndetësisë se nuk ka ilace për pacientët me COVID, ka ardhur dhe reagimi i spitalit “Shefqet Ndroqi”.
Ky institucion shprehet në një deklaratë për mediat se nuk mungon asnjë medikament apo trajtim.
Gjithashtu thuhet se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për tu kujdesur për të gjithë pacientet, me terapitë e plota të mjekimit.
“Në përgjigje të reagimit të Partisë Demokratike, Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” informon qytetarët se nuk mungon asnjë medikament apo trajtim për pacientët e shtruar që përdoret në protokollet e përcaktuara të mjekimit në spitalin tonë. Spitali Covid2 “Shefqet Ndroqi” ka marrë të gjitha masat e nevojshme për t’u kujdesur për të gjithë pacientët, me terapitë e plota të mjekimit. Në të njëjtën kohë ftojmë politikanët të na lejojnë të bëjmë punën tonë për t’u shërbyer pacientëve të prekur nga Covid19 ditë e natë, pa ndërprerje, me përkushtim dhe profesionalizëm”, thuhet në reagim.