Ish-kryeministri, Sali Berisha ka publikuar një video të dërguar nga një qytetar, në faqen e tij zyrtare në Facebook, ku denoncon mungesën e shërbimeve nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore, Lushnjë.
Në videon e dërguar nga qytetari shihet se ASHK Lushnjë nuk ofron shërbim dhe Berisha shkruan se narkozyrtarët janë me pushime.
Pas këtij postimi ka reaguar kreu i Kadastrës Shqiptare, Artan Lame. Ai i kujton ish-kryeministrit se duhet t’i ndjekë lajmet e të shohë se të gjitha sportelet në vend punojnë me shërbime të kufizuara, për shkak të pandemisë.
Lame ka renditur mënyrat sesi qytetarët mund të marrin shërbimet dhe ka ironizuar Berishën, ku i ka thënë që të ndjekë Facebook-un e kryeministrit që i ka zënë vendin, për të marrë më tepër informacion.
Përgjigja e Artan Lames:
Berisha,
Nuk është hera e parë që publikoni materiale pa asnjë lloj filtri. Por edhe pa pyetur, mjaft të ndiqni lajmet apo, edhe më pak akoma, mjaft të ndiqni fb e kryeministrit që ju zuri vendin dhe do ta kishit mësuar që sportelet e shërbimeve janë kufizuar maksimalisht në të gjithë vendin. Kujdes, thashë sportelet, jo shërbimet!
Kjo nuk do të thotë që qytetarët nuk marrin shërbim. Po ju rendis këtu mënyrat e mundshme se si vijojnë shërbimet:
– Përmes sporteleve të ADISA-s (në Lushnje ka të tilla).
– Përmes llogarisë personale të vetë qytetarëve në e-albania.
– Përmes shërbimit postar.
– Përmes shërbimeve të noterisë.
– Përmes kontakteve në portalin zyrtar të ASHK.
– Përmes portalit fb të ASHK (ashtu siç bëni edhe ju z. Berisha).
Edhe po mbeti ndonjë që, edhe përpos gjithë sa më sipër, prapë do vejë te zyra e Kadastrës, edhe këtij me qetësi dhe me maskë do t’i shpjegohet se si duhet të veprojë që të marrë shërbimin e kërkuar. Në këto mënyra i morën shërbimet kadastrale vetëm gjatë muajit korrik, 150.021 qytetarë në të gjithë Republikën, prej të cilëve 4967 në Lushnje.
Qytetari 4968 i Lushnjes është ky tipi që, pasi ka mbaruar punë te Kadastra, tall të ndenjurat me juve dhe ju dërgon nga këto filmimet, që ju pastaj – që i tallni të ndenjurat tuaja të nderuara ishkryeministrore me gjithë shqiptarët – i publikoni kodra pas bregut. Shkurt hesapi, sos kovidi, por dhe mizat…
Shëndet,
Artan Lame