Gazetari dhe shkrimtari i njohur, Musli Berisha, ka ndërruar jetë sot në Qendrën Klinike dhe Universitare të Prishtinës, ku ishte shtruar pas infektimit me virus. Gazetari nga Kosova është shuar sot dhe lajmi është bërë i ditur nga televizioni Tema në Ferizaj ku Berisha punonte si kryeredaktor.
Në një letër ngushëllimi, drejtuesit e këtij televizoni shprehen se janë të tronditur nga lajmi. Ata shtojnë se zëri i bukur dhe figura e kolegut të tyre, gjithmonë do të mbetet në kujtimet e tyre.
“Me rastin e ndarjes nga jeta të familjarit tuaj dhe kolegut tonë Musli Berisha, në emër të menaxhmentit dhe stafit të RTV TEMA, ju shprehim ngushëllimet tona juve dhe familjes suaj. Lajmi për vdekjen e Musës na ka tronditur të gjithe neve, familjet tona dhe shikuesit e shtëpisë sonë mediale, të cilët kanë pasur rastin të bashkëpunojnë me këtë gazetar të shkëlqyer.
Emri i ish-kryeredaktorit tonë Musli Berisha, do te mbetet i shkruar me shkronja të arta në historikun e shtëpisë sonë mediale dhe të qytetit të Ferizajt, për punën dhe angazhimin e tij në ndërtimin e gazetarisë moderne, informimin objektiv të qytetarëve si dhe për edukimin e drejtë të brezave të ri.
Ferizaj dhe Kosova sot e kanë humbur një emër të madh të gazetarisë televizive dhe të krijimtarisë letrare. Zëri i bukur i Musës dhe figura e tij, e një profesionisti të kompletuar, gjithmonë do të mbesin në kujtimet tona”, shkruhet në njoftim.