Pas vrasjes së Florian Lamçes në Elbasan mëngjesin e djeshëm në ambientet e një lokali, është zbardhur dhe dëshmia e Sokol Sanxhaktarit, dhëndrit të ish-kryebashkiakut të Elbasanit Qazim Sejdini.
I akuzuari Sanxhaktari ka rrëfyer sot para grupit hetimor sesi ndodhi ngjarja-
Sipas tij ai vetë ka qenë duke pirë alkool në një lokal në qendër të Elbasanit në shoqërinë e Florian Lamçes dhe Adriano Hajdarit. Sanxhaktari e qëlloi shokun e tij me shishe në kokë duke i shkaktuar plagë të rënda. Lamçja ndërroi jetë pasi ishte dërguar në spitalin e Elbasanit nga dy shokët e tij me të cilët ishte duke pirë prej disa orësh.
Sokol Sanxhaktari ka theksuar se është takuar pasditen e të mërkurës me Florian Lamçen dhe Adriano Hajdarin dhe kanë pirë alkool në disa lokale deri kur ndodhi sherri mes tyre. Shkakun e konfliktit ai nuk e ka sqaruar pasi është shprehur se nuk e mban mend si ndodhi.
“Florian Lamçen e kam shok. U takuam pasdite me Florianin dhe Adrianon (Hajdari) dhe kemi qenë në disa lokale. Në darkë u ulëm të tre. Nuk e kujtoj si nisi debati. Në lokal kemi pirë shumë pije të ndryshme. Nuk e kujtoj si më qëlloi. Jam i shokuar, nuk e di si ka ndodhur, ne jemi miq. Nuk e mbaj mend pse më qëlloi dhe pse e qëllova”, ka deklaruar Sokol Sanxhaktari përpara grupit hetimor.