Nga Elton Laska
Prej kohës kur portalet e rrjetet sociale filluan të kthehen në burimin tonë kryesor të informacionit, gjithnjë e më shumë, titujt bombastik i zënë vendin lajmit korrekt.
Sa herë ndodh që në Itali apo dhe në Shqipëri realizohet ndonjë grabitje ose vjedhje e rastit, që grabitësit ose hajdutët të jenë nga Kurbini ose Mirdita, titulli i lajmit dhe hyrja e tij në portale, nis me fjalën “Skifter”.
Është një aktor humori që ngriti mitin e skifterit laçjan në Shqipëri e për fat të keq, jo pak të rinj të këtij rrethi, sot e kanë për krenari të identifikohen me kete emërtim, pasi fama e momentit, rrjetet sociale dhe euforia e rinisë, nuk gjykojnë shumë për dëmin që i bëjnë vetes, bashkëmoshatarëve të tyre e mbi të gjitha familjes.
Për shumë të rinj në qytetin tim, të jesh skifter është kthyer në modë, pikërisht nga fama që i dha personazhit të skifterit ai aktor, që asnjë herë gjeti rastin të thoshte që ky rol është në kuadër të humorit dhe nuk përfaqëson rininë kurbinase, trevës fisnike që aq shumë i dha Shqipërisë.
Në Shqipëri, kufiri mes botës së “vipave” e paligjshmërisë, është bërë i padukshëm dhe pasojat do jenë fatale për shoqërinë tonë.
Per fat te keq, portalet “eksitohen” nga klikimet, kur shkruajnë për skiftera laçjan, që bredhin me makina luksoze dhe shoqërohen me vajzat e show bizit, por pa e kuptuar se kesisoj po i vënë damkën një qyteti të tërë.
Nëse nuk je skifter, nëse nuk vishesh me firmato, nëse ke bërë 17 vjeç dhe nuk ke Benz, BMW, apo Audi, për shumë të rinj konsiderohet dështim e për këtë mentalitet, edhe mediat kanë një pjesë të fajit.
Skifterat nuk janë një fenomen i panjohur për ne kurbinasit, dikush e ka nisur atë rrugë nga halli e dikush nga etja për pasurim të shpejtë, por me bindje të plotë ju them se kjo kategori në Kurbin, por edhe në Mirditë e Lezhë, është në minorancë.
Tranzicioni i stërzgjatur i Shqipërisë, më shumë se kudo, është ndjerë në qytete si Kurbini, ku uzina mbante ekonominë e qytetit dhe mbyllja e saj, solli pasoja fatale në ekonominë e familjeve laçjane.
Pasojë e kësaj është edhe përhapja e sëmundjes së skifterllëkut tek shumë të rinj të qytetit, por ama ju them se kostot dhe pasojat e kësaj epidemie, deri tani kanë qenë fatale për shumë familje.
Sot shqiptarët e dinë se Laçi është kryeqendra e skifterëve në Shqipëri, e dinë Laçin si një garazh makinash luksoze dhe dyqanesh luksi, ndonëse shumë pak kanë vizituar këtë qytet dhe thuajse aspak nuk kanë lexuar një libër për të mësuar më shumë për të.
Laçi, të nderuar miq, nuk është sinonimi i Korleones e as Monte Carlos, por është një rreth ku shumica e banorëve jetojnë me dinjitet dhe punë të ndershme. Është një qytet ku varfëria ekstreme dhe papunësia, nuk ia ka cënuar askujt dinjitetin dhe burrërinë, ndonëse ka privuar shumë ëndrra, që kanë mbetur në sirtar.
Laçi është një qytet me djem e vajza të jashtëzakonshëm, që shkëlqejnë në profesione si mjekësi, mësuesi, jurisprudencë, në biznes, në informatike, ekonomi dhe shumë fusha të tjera.
Kurbini është një trevë, që i ka dhënë vendit burra dhe gra, që kanë mbajtur poste të rëndësishme në hierarkinë shtetërore dhe kanë kontribuar shumë për ndërtimin e Shtetit Shqiptar, që nga themelimi i tij. Është krahina e dyerve të mëdha, si Përvizi, Skuraj apo Papa Klementi lX i cili ishte me origjinë nga Kurbini.