Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Gjirokastër mbrëmjen e sotme, ku është plagosur një grua 59-vjeçare dhe një efektiv i policisë.
Policia njofton se rreth orës 20:05 janë njoftuar se një person me problem të shëndetit mendor kishte plagosur me gërshërë nënën e tij.
Në vendngjarje ka mbërritur menjëherë policia dhe agjentët e Policisë Kriminale, që i kanë bërë thirrje 29-vjeçarit të dorëzohej. Ky i fundit, në atë moment, kishtë tentuar të vristë të ëmën dhe menjëherë ka ndërhyrë agjenti i Policisë Kriminale. Ndërkohë, autori e ka plagosur me thikë në gjoks.
Bëhet e ditur se të plagosurit janë transportuar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërsa, 29-vjeçari ndodhet në ambientet e Policisë.
Njoftimi i policisë:
Gjirokastër/Informacion paraprak
Në gjendje depresive, 29-vjeçari plagosi nënën me gërshërë, plagosi rëndë dhe një punonjës policie që ndërhyri për të parandaluar përshkallëzimin e veprimeve agresive të mëtejshme të autorit ndaj nënës së tij.
Rreth orës 20:05, në Sallën Operative ka ardhur njoftim se shtetasi K. A., 29 vjeç, banues në lagjen “11 Janari”, Gjirokastër, i cili vuan nga probleme të shëndetit mendor, kishte plagosur me gërshërë nënën e tij dhe po e kërcënonte për ta vrarë.
Menjëherë ka shkuar Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Gjirokastër dhe agjentët e Policisë Kriminale, të cilët i kanë bërë thirrje 29-vjeçarit të dorëzohej, por ky i fundit ka tentuar të vriste nënën e vet dhe në atë moment agjenti i Policisë Kriminale E. L., 30 vjeç, ka ndërhyrë për të shmangur goditjen dhe për pasojë autori ka plagosur në gjoks punonjësin e Policisë, i cili është transportuar së bashku me nënën e 29-vjeçarit, shtetasen I. A., 59 vjeçe, në Spitalin Rajonal Gjirokastër, për ndihmë mjeksore.
Momentalisht shtetasja I. A. dhe punonjësi i Policisë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Me ndërhyrjen e punonjësve të tjerë të Policisë është bërë neutralizmi i 29-vjeçarit, i cili ndodhet i shoqëruar në ambientet e Policisë.