Në lidhje me ngjarjet e rënda të ndodhura së fundmi ku një 15-vjeçare u përdhunua nga roja i shkollës dhe disa adoleshentë, si dhe një tjetër në Fushë Arrëz ku një vajzë u përdhunua nga efektivi i policisë pasi kishte shkuar për të denoncuar një abuzim në jetimoren e Shkodrës, ka ardhur dhe reagimi i ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj.
Gjatë një deklaratë të shkurtër për gazetarët nga Hani i Hotit, mëngjesin e sotëm Lleshaj u shpreh se fakt i rëndë është që të gjitha këto histori vinë nga personi që ka detyrën e shenjtë të rojes.
Sipas ministrit këta janë njerëz që zëvendësojnë prindërit.
“Është e rëndë fakti që ngjarje të tilla vinë nga roje, nga ata kujdestarë, që do të duhej të zëvëndësonin prindin. Është një çështje sensibilizimi shoqëror. Duhet të reflektojmë thellë për të forcuar frontin e bashkëpunimit qytetar në mënyrë që kjo kategori, që nuk e meritojnë emrin njeri, të izolohen”-tha Lleshaj.
Përsa i përket rastit në Fushë-Arrëz, ministri u shpreh se do të merren masa të forta sidomos ndaj atyre që kanë detyrën e shenjtë për ti mbrojtur këta fëmijë dhe se duhen kërkuar detajet.
Ndërkohë Lleshaj u pyet nga gazetarët nëse ka ndonjë mundësi që dënimi me vdekje të rikthehet në Shqipëri.
Ai reagoi prerë duke thënë se kjo është e pamundur.
“Dënimi me vdekje në Shqipëri është i vdekur dhe i pakthyeshëm. Mekanizmi është sensibilizimi, parandalimi dhe dënimi i merituar. Shteti nuk mund të kthehet në kryekriminelin më të madh për të vrarë”, deklaroi Lleshaj.