Presidenti Ilir Meta në konferencën për mediet mesditën e sotme foli edhe për procesin e negociatave për reformën zgjedhore.
Duke folur për këshillat që i ka dhënë opozitës, Metas trego edhe ato çfarë ai i kishte thënë Bashës në lidhje me këtë çështje.
Kreu i shtetit bëri të ditur se i kishte thënë opozitës që të unifikojnë qendrimet e tyre dhe të koordinohen me partnerët ndërkombëtarë.
“Besoj se mesazhet kanë qenë të qarta. Mesazhi im për opozitën është që të jetë e qartë, të unifikojë kërkesat e saj dhe të bëjë maksimumin për konsensusin, të koordinohet ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, sidomos me Komisionerin për Zgjerimin dhe Bundestagun gjerman, se atje shikohen me vëmendje reformat, por jo thjesht ana formale e sipërfaqesore e tyre, po ajo thelbësore dhe cilësia e tyre. E rëndësishme është që të gjithë të tregojnë vullnet për zgjedhje të lira e ndershme, e të mos intimidojnë qytetarët as me arrogancën e tyre dhe as me hezitimet e tyre”- tha Meta.