Është bërë e mundur vënia në pranga e një personi në qytetin e Elbasanit. Mësohet se 33-vjeçari me inicialet E.D ka qenë i armatosur me një pistoletë me silenciator dhe gjithashtu edhe një jelek antiplumb.
Nuk ka shumë të dhëna se përsei ai posdeonte këto armë, apo nëse ishte duke u përgatitur për ndonjë atentat.
Policia ka bërë të ditur në njoftimin për mediet se në arrestimin e tij kanë asistuar edhe forcat RENEA.
Njoftimi i policisë:
Operacioni nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan dhe Forcat Speciale RENEA, për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje.
Sekuestrohen tri armë zjarri, silenciator, municion luftarak dhe jelek antiplumb.
Vihet në pranga 1 person me precedent të theksuar kriminal në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe krimeve ndaj personit.
Në kuadër të zbatimit të planit të masave për kontrollin e personave me precedent dhe të dyshuar për armëmbajtje pa leje, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative, strukturat e DVP Elbasan, në bashkëpunim me Forcat Speciale RENEA, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Shënkoll”.
Në kuadër të operacionit, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit E. D. 33 vjeç, banues në lagjen Shënkoll, Elbasan, Policia gjeti dhe sekuestroi një arsenal armësh, konkretisht: një kallashnikov, dy pistoleta (njëra prej tyre me silenciator ), 170 fishekë dhe një jelek antiplumb.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjete dhe dy telefona celularë.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. D., për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.