Nëna e 15-vjeçarit të dhunuar në Tiranë disa ditë më parë nga Policia me pretendimin se kishte shkelur karantinën ka paditur sot Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Ardi Veliu.
Ajo ka ndërmarrë këtë veprim pasi Veliu disa ditë më parë publikoi një video të saj me pistoletë në dorë, por pa e ditur që ishte skenë xhirimi e një filmi.
Veliu i kërkoi opinionit të gjykonin djalin e dhunuar duke u nisur nga familja që ai kishte, me një deklaratë që skandalizoi opinionin publik.
Ndërkohë Zaida Çobo e akuzon Veliun për cënim të imazhit dhe kërkon dëmshpërblim 1 milion lekë të reja.
DEKLARATA E ARDI VELIUT
Gjatë raportimit në mbledhjen online të Komisionit të Sigurisë, Veliu tregoi një video, të zonjës Zaida Çobo, e ëma e 15-vjeçarit të dhunuar, e cila mbante një pistoletë në dorë.
“Jo se dua të marr në mbrojtje punonjësit e policisë. Punonjësit e policisë në një rast të caktuar kanë një kapërcim të kompetencës dhe punonjësi i policisë i cili ka konsumuar këtë veprim është pezulluar, ka filluar hetimi disiplinor, njëkohësisht ka filluar dhe një hetim penal nga SHÇBA.
Por më besoni, në qoftë se do ta shikojmë nga fillimi në fund çfarë përfaqëson ky djali, a është me të vërtetë ky djali që i është bindur të gjitha veprimeve, thirrjeve të policisë siç pretendon mamaja e tij, e cila ishte ndier shumë e fyer. Do t’ju shfaq një video të mamasë së tij, se kush është mamaja e tij dhe të besoni se nga çfarë familje vjen ky fëmija dhe pastaj të gjykoni vetë.
Kjo është mamaja e djalit me pistoletë në dorë. Ju a tregova këtë videon për të thënë se nga çfarë familje vjen ky fëmijë, sa i edukuar është, sa i është bindur thirrjeve të policisë dhe tek e fundit policia si gjithmonë bëhet viktimë”, tha Veliu.