Duhen pak më shumë se 24 orë nga përfundimi i afatit final për përmbylljen e reformës zgjedhore.
Por palët janë ende larg një pikë takimi që mund të çojë në marrëveshje. Nisur nga kjo situatë, deputetja demokrate Rudina Hajdari ka bërë një thirrje për partitë kryesore në Këshillin Politik që të lënë mënjanë interest e ngushta dhe të punojnë për një reform që t’I rezistojë kohës.
Në këtë kontekst, Hajdari ka propozuar që të punohet pa ndalim sot dhe nesër që reforma të përmbyllet brenda afatit të kërkuar nga ndërkombëtarët.
Postimi i plotë i Rudina Hajdarit:
Duke qenë se na ndajnë vetëm 24 orë nga mbarimi i afatit që kemi vendosur për të përfunduar reformën zgjedhore dhe ende jemi larg një kompromisi, i ftoj sot publikisht anëtarët e Këshillit Politik që të mos e mbyllim mbledhjen derisa të arrijmë kompromisin për këto çështje:
Sistemin Zgjedhor;
Teknologjinë e përdorur në zgjedhje për identifikimin e votuesve;
Administrimin e zgjedhjeve dhe administratën zgjedhore;
Kolegjin Zgjedhor.
Nëse nga sot e deri nesër, punojmë pa pushim, duke patur parasysh jo interesat e ngushta të partive por interesat më të mira të shqiptarëve, ne mund t’ia dalim të prodhojmë një reformë e cila t’i rezistojë kohës dhe të prodhojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Shqiptarët, qartazi, sot duan të kenë më shumë pushtet në përzgjedhjen e deputetëve nëpërmjet listave të hapura.
Shqiptarët janë të lodhur nga historia 30 vjeçare e zgjedhjeve që vidhen, blihen apo shkatërrohen nga keqpërdorimi i administratës shtetërore apo përfshirja e krimit të organizuar.
Unë mbetem e vendosur për t’i zgjidhur këto çështje, ndaj i ftoj edhe kolegët të më bashkohen në këtë vendosmëri dhe të mos dalim nga takimi pa arritur një rezultat.