Në ceremoninë e dhurimit të Helikopterëve UH-60 Blackhawk nga SHBA për Shqipërinë ishin edhe ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe ambasadorja amerikane Yuri Kim.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, dipolomatja amerikane theksoi edhe një herë rëndësinë e madhe që ka për SHBA-në mbështetja e Shqipërisë si një aleat i besueshëm dhe qendrueshëm.
“Siç mund ta dini, një nga tre prioritetet e mia kryesore është forcimi i bashkëpunimit për mbrojtjen në mënyrë që Shqipëria të jetë një aleate edhe më e aftë e NATO-s. Kur këta helikoptërë shumërolësh do të vijnë këtu, do të ndihen si në shtëpi këtu midis ekipit tuaj profesionist, punëtor dhe do të jenë të gatshëm që t’i përdorni për të mbështetur misionin e Forcave Ajrore, popullin shqiptar dhe Aleancën e NATO-s. Ju vendosni një standard të lartë për t’u ndjekur nga të tjerët. Ministre Xhaçka, faleminderit që më dhatë mundësinë të bashkohem sot në nënshkrimin e Letrës së Ofertës dhe Pranimit të Helikopterëve UH-60 Blackhawk.
Ju mund të prisni që këta avionë të mahnitshëm, të ngritur në fluturim nga pilotët tuaj të guximshëm, të kryejnë misione të ndryshme për shumë vite që do të vijnë. Ata mund të kryejnë operacione kërkimi dhe shpëtimi, të luftojnë zjarret dhe të transportojnë trupa drejt luftimeve dhe jashtë tyre, mes të tjerash. Së bashku me avionët, ky program mbulon trajnime për pilotët, ekuipazhin dhe ekuipazhet e mirëmbajtjes, mbështetjen me pjesë këmbimi dhe më e rëndësishmja, ndihmën për reformat institucionale për të përshtatur taktikat, teknikat dhe procedurat për të siguruar që këta avionë të mbeten frytdhënës për një kohë të gjatë në të ardhmen. SHBA dhe Shqipëria qëndrojnë “krah për krah” sot, do të qëndrojmë “krah për krah” nesër dhe të gjitha të nesërmet që vijnë më pas”, tha Ambasadorja Yuri Kim në ceremoninë e nënshkrimit të Letrës së Ofertës & Pranimit të Helikopterëve UH-60 Blackhawk.