Karantina e stërgjatur na riktheu në shtëpi. Për ata që janë në marrëdhënie pune, të afërmit e tyre pothuajse janë të qartë se rruga drejt banesës nuk do ketë ndalesa. Për të tjerë që nuk janë në punë, familjarët çuditen në rast se dalja nga dera ndodh pa asnjë arsye të qenësishme. Por ka raste kur familja mund të bëhet aq merak dhe të shqetësohet aq shumë, sa mund të alarmojë policinë, nëse ndodh që një anëtar i tyre vonohet. Jo vetëm kaq. Për të martuarit mund të ketë edhe dyshime. Nëse ndodh që familjarët vonohen, dikush mund të dyshojë se jeni në telashe dhe ky është një problem i madh.
Rasti i parë u denoncua në komisariatin numër një në Tiranë. Një 62-vjeçare vuri në lëvizje autoritetet me pretendimin se i biri ishte zhdukur pa nam dhe nishan. E moshuara që me sa duket gjatë këtyre muajve, u mësua me të birin gjithë ditën në banesë, dyshoi se atij i kishte ndodhur diçka, ndaj kërkoi që ta gjenin ku ishte. Por siç rezultoi më vonë, bëhej fjalë për një vonesë të shkaktuar nga një situatë e paparashikuar, të birit i ishte mbyllur telefoni dhe meqë nuk kishte autobusë për t’u kthyer në shtëpi rruga e kthimit është përshkruar në këmbë. Para oficerit të gatshëm që shkruante çdo detaj që dilte nga goja e nënës së shqetësuar, Gj. D i tha policisë “kur doli nga banesa im bir më tregoi se po bënte një xhiro dhe vrap nga Pallati i Brigadave. Por kaluan disa orë dhe djali nuk po kthehet. Ai punon në gardë, mendova që kishte shkuar në punë. Aty nuk ishte. E mora disa herë në telefon, por më del i fikur”.
Në këto rrethana nën dyshimin se diçka e keqe mund t’i kishte ndodhur të birit, në dosje përshkruhet edhe identiteti i të riut dhe jo vetëm. E moshuara tregon me detaje se E. D kishte veshur një triko me ngjyrë të zezë si dhe pantallona blu.
Por sapo është larguar nga komisariati dhe policia ka regjistruar në dhënat, numri i oficerit që do të merrej me çështjen ka tringëllirë. Ishte djali i zonjës që e ëma e mendonte në mes të telasheve dhe problemeve.
Në dosjen e policisë thuhet më tej se i riu ka rrëfyer se ishte kthyer shëndoshë e mirë në shtëpi dhe se nuk i kishte ndodhur asgjë. Pavarësisht kësaj policia ka disponuar edhe dëshminë e tij ku tregon se çfarë kishte bërë pasi kishte dalë nga banesa. Po ecja në këmbë dhe shoku im ndaloi në rrugë dhe hipa në makinën e tij. Rrugës vendosëm të shkonim në ndonjë lokal për të ngrënë. U nisëm për në Bërzhitë. Kërkuam ndonjë lokal të hajrit, por shumica ishin bosh. Më pas makina pësoi defekt dhe meqë nuk kishim me çfarë të ktheheshim pasi as autobusët e linjës nuk janë hapur, u detyruam të merreshim vetë me defektin derisa e zgjidhëm. Telefoni më ishte fikur dhe ndaj nëna është bërë merak shpjegoi i riu për policinë, duke parandaluar çdo veprim të agjentëve që sidoqoftë do prisnin disa orë derisa të referonin materialet.
Por problemin më të mëdh dhe të palarat i dolën në dritë një 47-vjeçari T. C që u gjurmua nga bashkëshortja pas shumë ditëve qëndrim model e të përkushtuar në shtëpi. Gruaja me inicialet E. C, nënë e dy fëmijëve tha se mendonte që martesa e saj ishte pa asnjë të çarë dhe se nuk kishte pasur asnjë konflikt apo ftohje në çift. Gjatë karantinës nëna e dy fëmijëve nuhati që bashkëshorti i saj shkruante shpesh në telefon, e mbante telefonin me kujdes dhe madje edhe ankohej “këta të punës te firma s’bëjnë dot asgjë pa mua”. “Përherë kur i duhej të fliste në telefon e bënte këtë gjë kur gjendesha në tualet apo duke kaluar në dhomën tjetër”. Kështu ka nisur shpjegimet E. C që gjatë karantinës ka ruajtur qetësinë dhe natyrisht edhe buzëqeshjen para partnerit.
“Në një nga ditët e para sapo u fashat kufizuese u liruan, kur ai po dilte sepse kishte “faturat për likuidim” vendosa t’i vihem pas dhe pashë që takoi një vajzë të re. Ata nuk ishin kolegë, pasi qëndrimi i tyre dukej shumë i afërt”, tha ajo në polici.
Më tej sipas rrëfimit të saj në polici, E. C ka shkrepur fotografinë “e çiftit” me aparatin celular dhe pa bërë zhurmë është kthyer në banesë ku dhe ka pritur partnerin me të cilin ka 17 vjet martuar.
“Kur u kthye i lodhur dhe me ankesa, i tregova foton, por ai e humbi toruan dhe nisi të më ofendojë me dhunë verbale, më shau e më quajti fiksimaxhie. Si ai veprova dhe unë, dhe një moment ai më hodhi vazon në kokë”, shtoi më tej E. C. Por policia u njoftua nga vjehrra e saj, që kur pa se nuk po uleshin gjakrat në katin e dytë kërkoi ndihmë. Kur policia e pyeti se për çfarë e kishte kërcënuar dhe goditur partneren ai deklaroi “është xheloze, nuk e kërcënova, vetëm shfryva nervat”.
Por pavarësisht këtij qëndrimi mohues, gruaja ju vendosi oficerëve fotografinë e tradhtarit që shfaqet i ulur në stol së bashku me një femër tjetër, shumë larg lagjes ku ka shtëpinë. Ky është rasti tipik i një partneri model në sytë e gruas, që para pandemisë e kishte tradhtuar, por ajo nuk kishte kuptuar asgjë. Deri në çastin kur bashkëshorti i lodhur nga masat kufizuese, nuk e ndërpreu komunikimin me “të dashurën”, duke lënë edhe gjurmë të dyshimta. Por ndërsa ky është një shembull tradhtie të zbuluar nga Covid-19, ka edhe shembuj xhelozie të pashkak, që kanë përfunduar sërish për zgjidhje në polici.
Rasti i dhunës u deklarua në komisariatin numër pesë dhe gjithçka ka precipituar nga dyshimet e kota të burrit që jeton me fëmijët dhe partneren në Kamëz. Gruaja e cila më pas mori urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje, u tërhoq zvarrë për flokësh nga Sh. M, me të cilin ajo ka tre fëmijë më e madhja e moshës 19 vjeçe. Pasi fëmijët tentuan t’i ndanin, ata njoftuan komshinjtë që telefonuan policinë e zonës. Mes lotëve gruaja tregoi se xhelozia e të shoqit ishte bërë e padurueshme për të. “Vuaj nga hernia diskale. Punën në fabrikë e humba ngase u sëmura. Fillova të punoj duke pastruar ndonjë shtëpi. Edhe para një viti kishte urdhër mbrojtjeje pasi është i sëmurë nga xhelozia. Për fëmijët nuk u ndamë. Mbolla bahçen e një të moshuare që jeton vetëm. Kur u ktheva bleva ushqime. Sa hyra në shtëpi më qëllloi, më bërtiti: ku i gjete paratë, shkon me pleq dhe pastaj u vërsul e më rrahu”. Gruaja i tregon oficeres L. P. në procesverbalin që gazeta “Si” disponon se burri sa herë shpërthente nga xhelozia e pashkak i thoshte “Do ta nxij jetën, do të ther”./ Gazeta Si