Në një intervistë për “ABC News” bashkëkryetari i Komisionit Zgjedhor Damian Gjiknuri u shpreh se ndryshimi i sistemit kërkon shumë kohë. Gjatë intervistës Gjiknuri tha për gazetarin Endri Xhafo se Partia Demokratike nuk ka dërguar asnjë propozim në tryezën e Reformës Zgjedhore.
“Mund të jetë një çështje e hapur. Ne nuk fshihemi në qëndrimet tona, për hir të konsensusit jemi të hapur të diskutojmë edhe për një tjetër sistem zgjedhor. Deri më tani PD nuk ka sjellë asnjë propozim në tryezën e reformës Zgjedhore. Ne kemi qenë me parimin qe sistemi të mos preket për momentin”, tha Gjiknuri.
Gjithashtu ai u shpreh se teknologjia ka dështuar në procese më të lehta dhe se zgjedhjet nuk mund të jenë peng i teknologjisë, ndërsa shtoi se nuk ka asnjë kundërshtim nga mazhoranca nëse teknologjia nuk pengon zgjedhjet: “31 është një datë shumë e rëndësishme. Por çështja e sistemit zgjedhor kërkon shumë kohë dhe nuk mund të realizohet brenda 31 majit. Palët që në fillim kanë rënë dakord që çështja e sistemit meqenëse prek Kushtetutën do të kërkojë një konsultë shumë më të gjerë dhe nuk besoj që brenda 31 majit të mund të adresonim ribërjen e sistemit zgjedhor”.
A mund të zgjidhet kjo brenda datës 15 prill- 15 maj? Në 15 maj të 2021 mund të kemi një ndryshim të sistemit?
Gjiknuri: Kjo mbetet për tu parë, është një çështje e hapur. Pse jo mund të adresohet. Për hir të konsensusit ne jemi të hapur edhe për një sistem tjetër zgjedhor, por do të shprehemi të fundit.
Teknologjia në votim, deri në cilën pikë jeni të gatshëm të pranoni?
Gjiknuri: Të gjitha gjërat që involovojnë teknologjinë kanë një siguri dhe pasiguri. Në parim kemi rënë dakord që mund të përfshijnë teknologjinë për identifikimin e zgjedhësve. Ka opinione të OSBE/ODHIR-it që përfshirja e teknologjisë duhet të bëhet në mënyrë të kujdesshme. Ne mund të themi po, por nuk mund të mbajmë peng procesin e zgjedhjeve.
Më tej ai u shpreh: Asnjë nuk ka thënë që nuk do të ketë proces “Vettingu”. “Vettingu” është një proces që vazhdon dhe brenda një periudhe kohore të gjithë gjyqtarët do të shkojnë në vetting, nuk është një proces që e kontrollin qeveria. Loja të hapet në të gjitha nivelet. Masa disiplinore lidhet me vendimmarrje të caktuara.
I ndalur te SPAK Gjiknuri theksoi se do të hetojë veprën e korrupsionit. PD ka kërkuar që vepra penale e korrupsionit zgjedhor të hetohet./abcnews.al