Seanca e sotme parlamentare është shoqëruar me tone të ashpra e diskutime të forta mes të pranishmëve në sallë.
Deputeti Ralf Gjoni nga foltorja e Kuvendit ka theksuar se opozita e re do të futet në zgjedhje në një formë apo në një tjetër në vitin 2021 por jo me Partinë Demokratike e as me LSI.
Ndër të tjera Gjoni nuk u përmbajt fare as kur krahasoi Kushtetutën e cila sipas tij është kthyer nga ata që e kanë në dorë në një prostitutë Amsterdami.
Ai nuk e ka kursyer as ironinë ndaj nënkryetarit të LSI Petrit Vasili, duke e krahasuar me një nuse fshati e cila ul sytë në momentin që e dërgojnë të tjerët për të zgjidhur marrëveshjet, rasti konkret atë të Reformës Zgjedhore.
”Nuk i kuptoj ndryshimet në ligjin për sektorin e energjisë elektrike. Në kontekstin e pandemisë dhe jemi në një javë të rëndësishme dhe javët e ardhshme do të jenë kritike sa i përket demokracisë dhe çdo ndodhë vitin që vjen.
Ndërkohë që ky parlament diskuton për energjinë elektrike, çdo shqiptar i ndershëm, i pavarur, që nuk i përket lëpirsave të lolipop të partive, pse ka frikë Rama nga listat e hapura.
Pse ka frikë kryeministri që ju keni mbështetur nga hapja e listave. Pse propozimi im për ndryshimin e sistemi zgjedhor dhe hapjen e listave mbështetur nga 50 mijë qytetarë, sot mund të jenë dhe mbi 100 mijë, hartuar nga shoqëria civile dhe ekspertë, nuk është trajtuar në parlament por trajtohet nga Gjiknuri që thotë se propozimet e opozitës do të shihen nga ekspertët. Jemi konsultuar me ekspertë. Hapja e listave nuk kërkon ndryshim Kushtetute. Atëhere ka nevojë për një rend të ri kushtetuese, se e keni kthyer Kushtetutën si prostitutat e Amsterdamit.
Ju Gramoz Ruçi nuk keni frikë nga listat e hapura, Ulsi Manja nuk ka frikë, Taulant Balla jo, atëhere ka ardhur dita që të flasim sy më sy. Madje as Spiropali nuk ka, Rudina Hajdari nuk ka, unë nuk jam. Jam gati që nesër me lista të hapura. Ka shumë socialistë që duan lista të hapura dhe kërkojnë ndryshim sistemi. Pse Rama ka frikë dhe i shkel syrin Berishës, se Bashën nuk e quaj se është në gjumë.
Nuk do ketë asnjë Reformë, palo reforme. Shqipëria nuk ka nevojë për Reformë Elektorale, por për rikthim të besimit tek institucioni i besimit.
Ne do futemi në zgjedhjet e 2021, me një parti a nuk e di, jo me PD apo LSI. PD është në krevat kurse LSI nuk e kuptoj prej 2017. Kanë dërguar Tit Vasilin si nuse fshati që shkon me tantellë të bardhë dhe ul sytë e nuk ka.
Lere pastaj Bylykbashin. T’i shesësh shqiptarëve idenë që Reforma Elektorale do vijë nga Gjiknuri, Vasili e Bylykbashi atëhere është si t’i bësh shurrën shqiptarëve mbi kokë.
Reforma Elektorale duhet të vijë nga Parlamenti, jo nga Këshilli Politik. Nëse vijon kështu Rudina Hajdari atëhere duhet që të vendosim në diskutim prezencën aty. Nuk do e lemë me kaq, do e çojmë në SPAK, që Reforma Elektorale mos bëhet siç do Lul Basha.”- deklaroi Gjoni gjatë fjalës së tij.