Nga Adrian Civici
Gjatë gjithë këtyre muajve të fundit një numër i konsiderueshëm ekspertësh, ekonomistësh ose politikanësh, në kërkim të ethshëm të gjetjes së shkaqeve dhe recetave të shpëtimit nga kriza e Covid-19, i janë referuar shpesh krahasimit të saj me krizën e Depresionit të Madh të viteve 1929-33.
Të njëjtën gjë kanë bërë dhe mediat apo rrjetet e ndryshme sociale kudo në botë. Në kërkim të krahasimit me “të keqen më të madhe ekonomike, financiare e sociale të shek. XX”, qëllimi kryesor i ekonomistëve nuk është thjesht analiza e mekanizmit që shkaktoi Depresionin e Madh dhe pasojat e tmerrshme të tij, por, mbi të gjitha, masat dhe politikat ose, e thënë ndryshe, “recetat” e përdorura për përballimin e krizës dhe daljen prej saj.
A duhet t’u referohemi këtyre recetave për krizën aktuale të Covid-19, apo tashmë në skenë kanë dalë parametra dhe receta të reja, një pjesë e të cilave akoma kanë pikëpyetje të mëdha mbrapa?
Mjaft ekspertë e analistë krizash e politikash antikrizë mendojnë se referencat e bazuara në katastrofën ekonomike, financiare e sociale të Depresionit të Madh që i hapi rrugën Luftës së Dytë Botërore mund të ketë efekte të kundërta dhe shumë të dëmshme në sjelljen e qeverive dhe popullsisë, tashmë të nënshtruara kundrejt krizës sanitare dhe asaj ekonomiko-financiare”.
Sipas tyre, fjala çelës që bën “diferencën e madhe në krahasimin ndërmjet dy krizave dhe recetave shëruese, është FRIKA dhe PANIKU”. Në shekullin 21 Depresioni i Madh përdoret zakonisht si shembull konkret se sa larg mund të goditet dhe shkatërrohet ekonomia botërore, se çfarë duhet bërë për shpëtimin e saj?
Që në fund të viteve ’90, Milton Friedman, duke analizuar krizën e Depresionit të Madh, ka evidentuar “rolin e frikës” në gjithë ecurinë dhe pasojat e kësaj krize ekonomiko-financiare. “Kriza dhe paniku” ishin “drejtuesit kryesorë të saj”.
Radhët e gjata të njerëzve përpara sporteleve të bankave, të cilët kërkonin të tërhiqnin paratë e tyre nga frika se bankat nuk do të kishin likuiditetin e nevojshëm në përputhje me këto depozita, çuan shumë shpejt në falimentim sistemin bankar. Njerëzit nuk i kërkonin paratë apo kursimet e tyre thjesht dhe vetëm për të plotësuar nevojat e tyre për konsum, por për t’i ruajtur ato në shtëpi nga frika e falimentimit të bankave. Ky veprim e përshpejtoi dhe e thelloi akoma më shumë krizën.
Megjithëse shifrat tregojnë ngjashmëri ndërmjet dy krizave – rënie të madhe të çmimeve të aksioneve që filluan rreth 4 shtatorit 1929 dhe u bënë lajme në mbarë botën me rrëzimin e tregut të aksioneve të 29 tetorit 1929, i njohur si Black Tuesday, e marta e zezë; prodhimi i brendshëm bruto (GDP) në botë ra me 15%, të ardhurat personale, të ardhurat nga taksat, fitimet dhe çmimet ranë ndjeshëm, tregtia ndërkombëtare u reduktua me më shumë se 50%, papunësia rrit në 25-35%, pasojat e saj u zgjatën deri në vitin 1940 etj., – veprimet e shumë qeverive “për menaxhimin dhe përballimin e kësaj krize”, nën peshën e frikës dhe panikut përballë së panjohurës, iu përgjigjën duke reduktuar ndjeshëm shpenzimet publike”.
Në SHBA, në kuadrin e “Ne# Deal” të politikave intervencioniste të presidentit Roosevelt që synonin përmirësimin afatshkurtër të situatës – reformim i sistemit bankar, programe të gjera të asistencës sociale, programe të mëdha në mbështetje të punësimit, investime të jashtëzakonshme publike për nxitjen e punësimit dhe zhvillimit etj., – politikat mbështetëse u ndërmorën vetëm mbas vitit 1933, pra rreth 3-4 vite mbas shpërthimit të krizës.
Ndërkohë, edhe në Evropë, e cila filloi të prekej rëndë nga kriza në vitet 1931-33, ndërhyrjet dhe politikat specifike “antikrizë” u ndërmorën “me një kohë vonesë”. Në Britaninë e Madhe, Gjermani, Francë, Austri, Itali, të dominuara nga “doktrina keynesianiste për nevojën e vendosjes së ekuilibrit ndërmjet kursimeve dhe investimeve nëpërmjet investimeve masive publike”, vetëm mbas vitit 1932 filluan reformat dhe politikat “e vërteta drastike” antikrizë: investime masive shtetërore me qëllime publike, tentativa të jashtëzakonshme për punësimin e plotë, reforma financiare e monetare, politika tregtare proteksioniste, zhvleftësime masive të monedhave të tyre, orientim drejt industrisë së luftës etj.
Atëherë, përse ekonomistët kanë filluar të shqetësohen për rreziqet që paraqet krahasimi i krizës aktuale të Covid-19 me Depresionin e Madh të viteve 1929-33? Përse kërkohet kujdes më i madh dhe analiza më të kujdesshme si për shkaqet e shpërthimit të këtyre krizave, ashtu dhe për recetat e përdorura në përballimin dhe daljen prej tyre?
Natyrisht, interesi më i madh nuk qëndron aq te shkaqet dhe natyra e krizës së Depresionit të Madh – për të cilën janë bërë tashmë me dhjetëra mijëra studime, analiza, libra e filma – as te shpjegimet e teorive apo shkollave të ndryshme ekonomike që e shpjegojnë këtë krizë me spekulimet financiare e bursat, me analizën monetariste dhe teorinë e borxhit sovran, me uljen e konsumit apo ciklet ekonomike, me krizën e brendshme të kapitalizmit liberal etj., por te mësimet nga recetat ekonomike, financiare e politike që u përdorën për përballimin dhe daljen prej saj. Cilat prej tyre mund të përdoren aktualisht në kushtet e krizës së Covid-19 dhe cilat prej tyre i takojnë thjesht historisë specifike të gjysmës së parë të shek. XX?
Së pari, megjithëse shifrat e dëmeve ekonomiko-financiare dhe sociale janë të ngjashme – recesion botëror me risk shumë të lartë depresioni, përqindje papunësie spektakolare deri në nivelet 32-35%, rënie e PBB-së në nivelet 6 -15% për vende e kontinente të ndryshme, sektorë ekonomikë pothujase të bllokuar në masën mbi 90%, siç janë transporti ajror, detar dhe turizmi – natyra e krizës është e ndryshme.
Depresioni i Madh ishte pasojë e një “shembjeje spektakolare të bursave dhe tregjeve financiare” në një botë të dobësuar nga Lufta e Parë Botërore, ishte shpërthimi i një flluske financiare që çoi shpejt në një krizë bankare të paprecedentë, ishte një “tharje masive e likuiditetit në treg” dhe një bllokim i sistemit të kredisë. Disa muaj më vonë kjo u shoqërua me një goditje të rëndë të ekonomisë reale dhe mjaft shtresave sociale.
Ndërkohë, kriza e koronavirusit, me gjithë përmasat e mëdha shkatërruese, nuk u shfaq si një krizë e ofertës, por si një krizë e kërkesës. Vetëm disa muaj më vonë, ajo mori trajtat edhe të një krize të ofertës duke dhënë një goditje të kombinuar në ekonominë dhe financat botërore apo individuale në shtete të veçanta, qofshin këto të pasura apo të varfra.
Kjo krizë nuk erdhi në një botë të sfilitur nga ndonjë luftë, apo pasojë e ndonjë flluske të madhe financiare e monetare, nuk ishte një tharje e likuiditetit në treg apo bllokim i sistemit të kreditit. Përkundrazi. Shumë nga këta parametra ishin duke u zhvilluar në sens të kundërt. Kjo krizë lindi dhe u zhvillua nga një pandemi botërore e provokuar nga një virus i quajtur “Covid-19”, pasojë e masave emergjente sanitare e shëndetësore për pengimin e përhapjes së tij, që përveç njerëzve bllokuan rëndë edhe ekonominë, e pak më vonë edhe konsumin si pasojë e mungesës së mundësive për të konsumuar. Pra, ishte një krizë tipike oferte e ekonomisë reale, ndërkohë që bota ishte në një trend pozitiv të rritjes ekonomike.
Së dyti, dhe ky është shqetësimi më i madh sot, çfarë po ndodh me “recetat antikrizë”? Ekspertët vlerësojnë se aktualisht “recetat e vjetra historike antikrizë” po i nënshtrohen një analize dhe gjykimi më të gjerë. Diferencat në këto receta janë mjaft evidente dhe të pakrahasueshme me njëra-tjetrën.
Politikat monetare janë bërë shumë aktive e relaksuese në emër të furnizimit të tregut me likuiditet dhe shpëtimit të bankave e tregjeve financiare; ndërhyrja shtetërore dhe investimet publike filluan masivisht që “të nesërmen e shpërthimit të krizës”; po kështu dhe programet masive të ndihmës për ruajtjen e punësimit apo pagesat e papunësisë; blerja e borxheve të ndryshme nga bankat qendrore e ka kaluar shifrën e disa miliardë dollarëve; politikat monetare jokonvencionale po zgjerohen çdo ditë e më tepër; bizneset po ndihmohen maksimalisht që të reduktojnë humbjet dhe të mos falimentojnë; po bëhet gjithçka që recesioni i fortë të mos kthehet në depresion ekonomik; mbrojtja sociale ka marrë përmasa të jashtëzakonshme; megjithëse kriza është në kulmin e saj, planet dhe strategjitë e rimëkëmbjes ekonomike janë pothujase të përgatitura në shumicën e vendeve të prekura etj.
Dhe, mbi të gjitha, qeveritë, bankat dhe njerëzit, kanë besim se “ekzistojnë të gjitha kapacitetet dhe mundësitë reale që kjo situatë të kalojë sa më shpejt të jetë e mundur”. Këtë radhë, ndryshe nga Depresioni i Madh apo dhe kriza të tjera financiare globale, faktori “FRIKË” është minimal, faktori “PANIK” është po ashtu minimal. Nuk ekziston frika për rënien drastike të bursave, paniku për krizë bankare dhe humbjen e depozitave, frika për pamundësinë e ndërhyrjes së institucioneve shtetërore e financiare etj.
Është pikërisht kjo “mungesë frike” e shoqëruar me besim te qeveritë dhe institucionet financiare kombëtare e ndërkombëtare, monetare e ekonomike e cila bëri që shumica dërrmuese e bizneseve, e popullsisë kudo në botë t’i pranonte dhe zbatonte masat drastike sanitare të izolimit social e ekonomik pa eksese e shkelje të tyre.
Fjalët çelës të asaj që mund të quhet sukses në menaxhimin e kësaj krize duket se janë “besimi”, “shmangia e frikës dhe e panikut”, “kuptimi i qartë i situatës dhe besimi te masat e marra për luftimin sanitar dhe ekonomik e financiar të krizës së Covid-19. Me sa duket, në arsenalin e politikave antikrizë është shtuar së fundmi edhe një parametër i ri, mjaft i rëndësishëm e domethënës.
Somario
Çfarë po ndodh sot me “recetat antikrizë”? Ekspertët vlerësojnë se aktualisht “recetat e vjetra historike antikrizë” po i nënshtrohen një analize dhe gjykimi më të gjerë. Diferencat në këto receta janë mjaft evidente dhe të pakrahasueshme me njëra-tjetrën.
Fjalët çelës të asaj që mund të quhet sukses në menaxhimin e kësaj krize duket se janë “besimi”, “shmangja e frikës dhe e panikut”, “kuptimi i qartë i situatës dhe besimi te masat e marra për luftimin sanitar dhe ekonomik e financiar të krizës së Covid-19.
Gazeta Fjala