Kryetari i partisë Demokratike, Lulzim Basha ka bërë një akuzë shumë të fortë në lidhje me tenderat sekret dhe për një mundësi se ato mund të jenë duke u zhdukur.
Në prononcimin për mediet sot në mesiditë, Basha deklaroi se në katin e tretë të Ministrisë së Shëndetësisë ku është edhe zyra e prokurimeve ka rënë zjarr çka të bën të dyshosh se po tentohet të fshihen provat.
Për Bashën SPAK duhet të nisë punën sa më shpejt dhe se këto denoncime janë një provë shumë e fortë për forcën dhe vërtetësinë e kësaj strukture të drejtësisë.
“Edi Rama ka dhënë ndihmën më të ulët direkte në rajon dhe në Europë, 0. 86 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Pse?! Sepse vazhdon të paguajë shuma stratosferike të taksave të shqiptarëve për koncesione, sepse edhe në kohë pandemie e ka mendjen për të vjedhur, prandaj shkojnë edhe për tenderat sekrete. Paska rënë edhe zjarri në një nga katet e Ministrisë se Shëndetësisë tani që SPAK –u filloi hetimin. Keni dëgjuar apo jo?! Ka rëne zjarri në katin e 4-rt, tek zyra e Prokurimeve në Ministrinë e Shëndetësisë para disa ditësh. Arsyeja kryesore përse Edi Rama nuk publikon, siç e ka për detyrë ofertat, kontratat e tenderave sekretë është sepse po manipulon të dhënat. Si duket nuk ia kanë dalë dot me manipulimin dhe i kanë vënë flakën. Por uroj që të kenë mbetur mjaftueshëm gjurmë sepse ky është një test për jetë a vdekje për SPAK-un.
Në qoftë se dështon në këtë test, praktikisht, SPAK-u i ri ka lindur i vdekur. Ndaj dua t’i bëj thirrje prokurorëve që të procedojnë me hetimin me transparencë dhe të komunikojnë me publikun sepse bëhet fjalë për taksat e shqiptarëve në kohë pandemie dhe të refuzojnë çdo formë presioni apo joshje nga Ëngjëll Agaçi, Taulant Balla, nga Ulsi Manja dhe korrierët e tjerë të Edi Ramës, të cilët nga mëngjesi deri në darkë ushtrojnë presion ndaj SPAK-ut për të mbyllur hetimet kundër korrupsionit. Ky është një test të cilin shqiptarët, jo vetëm opozita, po e shikojnë me shumë, shumë vëmendje dhe jam i sigurt edhe faktori ndërkombëtar. Dhe askush nuk ka për t’i falur, nëse nuk ngrihen në lartësinë e detyrës për të cilën u krijuan, për të hetuar korrupsionin dhe për t’i vënë prangat zyrtarëve të lartë të korruptuar”, tha Basha.