Qyteti i Krujës tashmë është kthyer në një nga vatrat më të rrezikshme të koronavirusit në Shqipëri.
Shifrat e të infektuarve tashmë flasin për një rritje të numrit të të prekurve.
Ditën e sotme aty u konfirmuan 4 raste të reja, ku njëra prej tyre ishte punonjëse fasonerie dhe 3 të tjerë të afërm të të prekurve të mëparshëm.
Deri më tani, numri i të prekurve me COVID19 në Krujë ka shkuar në 114.
Në lidhje me këtë fenomen ka folur dhe mjeku radiolog i spitalit të qytetit Adrian Mata, ku ka ngritur alarmin se ky qytet po bëhet një Wuhan i vogël.
Gjatë një interviste për ABC News, ai shprehet i shqetësuar që asnjë sugjerim i tij nuk po merret seriozisht nga autoritetet e larta të shëndetësisë.
Mata kërkon që të kryhen më shumë tamponë dhe mbi të gjitha të vendosen rregulla të reja për karantinimin e të infektuarve, pasi virusi po përhapet me shpejtësi dhe tek familjarët e punonjësve të fasonerive.
“Kruja po bëhet një Wuhan i vogël. Kërkoj të vazhdojnë tamponët, por ajo që unë këmbëngul dhe shikoj me problematike është karantinimi. Në një familje kur rezulton një i prekur me një dhomë dhe një kuzhinë nuk ka si mund të karantinohen të tjerët. Nga ajo familje njëri del në qytet duke thyer dhe rregullat e distancimit dhe bëhet burim vatre infeksioni.
A parashikon mjeku shtim të rasteve me koronavirus në Krujë?
“Po, n.q.s se do ketë tamponime rastet do të jenë prezente. Po tamponohen më shumë ata që janë me probleme siç janë me temperaturë dhe dhimbje koke”, deklaroi mjeku.