Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ditën e sotme zhvilloi një takim me përfaqësues të biznesit ason në Shqipëri. Kryemadhi shprehet se u njoh më nga afër me problematikat që po hasin fasonët në këtë periudhë ndërsa vendi është përfshirë nga pandemia e koronavirusit.
Midis të tjerave, Kryemadhi thotë se nevojitet një paketë urgjente ekonomike për sektorin fason, për të siguruar vijimësinë e pagesës së punonjësve dhe sigurimin e vazhdimit të këtij biznesi.
Kryetarja e LSI-së thekson se distancohet nga gjuha e papranueshme e qeverisë dhe mungesa e plotë e gatishmërisë për mbështetjen e këtij biznesi.
“Sot zhvillova një takim me përfaqësuesit e Fasonistëve të Bashkuar, ndamë shqetësimet emergjente me të cilat po përballet ky sektor, i cili është jetik përsa i takon punësimit masiv që realizon. Sektori fason, sipërmarrësit dhe gjithë punonjësit e tij janë goditur rëndë nga keqmenxhimi i situatës ekonomike nga ana e qeverisë.
Mijëra familje të thjeshta shqiptare sigurojnë mbijetesën me pagat e realizuara në biznesin fason. Tashmë dihet që ky biznes është përballur vazhdimisht me vështirësi të shumta përsa i takon procedurave burokratike, të padrejta dhe jo stimuluese, duke funksionuar me vështirësi më të mëdha se çdo biznes fason në vendet e tjera në rajon. Kërkohet një paketë urgjente ekonomike për sektorin fason, për të siguruar vijimësinë e pagesës së punonjësve dhe sigurimin e vazhdimit të këtij biznesi.
Të mbrosh biznesin fason do të thotë të mbrosh mijëra të punësuar. Ndaj edhe një herë distancohemi prerë nga gjuha e papranueshme e qeverisë dhe mungesa e plotë e gatishmërisë për mbështetjen e këtij biznesi. Nuk kemi kohë për të humbur me propagandën e kryeministrit të Facebook.
Duhet të shkrijmë akujt që prej 2 muajsh kanë ngurtësuar jetën dhe ekonominë e shqiptarëve, të fitojmë kohën e humbur duke jetuar e punuar 365 ditë të vitit. Çdo ditë me vendime eksperimentale është humbje e madhe për ekonominë shqiptare, për familjen shqiptare dhe Shqipërinë. Përfaqësuesit e fasonët më herët kanë pasur takime edhe me kreun e opozitës Basha dhe presidentin Meta.”, shprehet Kryemadhi.