Duke marrë shkas nga situata e krijuar për shkak të koronavirusit, ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani është shprehur se e gjithë bota është në ankth për gjetjen e vaksinës. Ndër të tjera Manjani shprehet se Rama shet mend se na shpëtoi ai nga virusi.
Në një postim për rrjetin social Facebook, Manjani nën ironi shton për Ramën se “me krenari deri në budallëk e pranon se sistemi i tij shëndetësor është “me numrin më të ulët të shtretërve”, por ama Ai është shpëtimtari”. Manjani shton më tej se kur t’i mbarojë afati, Ramës do i kenë mbaruar edhe fjalët.
MESAZHI I MANJANIT
Shpëtimtari (vet)mburravec
—————-
E gjithë bota shkencore, politike e financiare është në ankth për gjetjen e një vaksine apo ilaçi që lufton COVID. Kryeplaku ynë na shet mend me një entuziasëm idiot se “…. na shpëtoi nga virusi” pa vaksinë e pa ilaç!!!
Madje me krenari deri në budallëk e pranon se sistemi i tij shëndetësor është “me numrin më të ulët të shtretërve”, por ama Ai është shpëtimtari.
Për të qeshur e për të qarë!
Po mirë more zoti “shpëtimtar”, le të themi(për një moment) rrofsh që na shpëtove, po ata që vdiqën pse i le të vdesin?! Po flasim për ato që vdiqën në spitalet e Tij, se ata që ndërruan jetë pa i telefonuar 127 nuk e merituan vemendjen e shpëtimtarit. Nejse, kohë e humbur kjo me kundërshti llogjike ndaj vetmburrjes publike të shpëtimtarit.
Nga ana tjetër, askush nuk po i thotë “as hyp se të vrava e as zdryp se të vrava”. Kot vet-viktimizohet.
Thjesht po i themi troç:
IK se na hape barkun!
Ik se ky vend ja del edhe pa ty!
Ik e merru me baltë(poçeri) se boll e bërë baltë këtë vend!
Fundja nëse e ka të nevojshme për të ushqyer narcisismin po i theni edhe “tu rrit’të ndera”, po IK tani sa je në afat.
IK se kur të të mbarojë afati, do kenë mbaruar edhe fjalët…
Më në fund, ata që e mbajnë për shpëtimtar, le ta mbajnë në kornizë e ta puthin nëpër shtëpitë e tyre po të duan. Le ta dëgjojnë me zë e figurë edhe nga ERTV, për aq sa paguhen prej Tij.
Po druaj se kur të ketë ikur, do e kthejnë pllakën dhe ata…