Biznesi fason është një prej industrive më të goditura nga pandemia e koronavirusit, si pasojë e tkurrjes së kontratave nga vendet porositëse, kryesisht Italia, por edhe faktit se konsiderohet vatër për përhapjen e infeksionit.
“Mbetet një sektor tepër i goditur. Ka ndërmarrje që nuk funksionojnë, ka që funksionojnë pjesërisht, por ka edhe ndërmarrje me problematika si rezultat i rregullave dhe kufizimeve për shkak të pandemisë. Nuk kemi një shifër precize, por duhet të jenë 16-20 mijë të mbetur të papunë”, tha në A2 Business Week, Saimir Bidaj, themelues i “Proeksport Albania”.
Bizneset fasonë kanë shprehur pakënaqësi ndaj protokollit e kuq të vendosur nga qeveria për ashpërsimin e masave higjieno-sanitare që duhet të zbatojnë gjatë procesit të punës, duke i konsideruar të pamundura për t’u plotësuar kushtet e vendosura, për shkak të pamundësive teknike, por edhe rritjes së ndjeshme të kostove, që mund të çojnë deri në mbyllje të aktivitetit të tyre.
Eduard Shalsi, ministri për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, tha se probleme të mëdha kanë ndërmarrjet e të gjitha vendeve të botës, jo vetëm ato shqiptare. “Edhe unë jam i shqetësuar se si do të arrijmë t ëmenaxhojmë protokollin e kuq, që ka lidhje me transportin, me doktorin e detyrueshëm dhe dezinfektimin dy herë në javë, që iu është vënë kusht. Edhe unë jam, personalisht për ta lehtësuar, sepse jam i bindur që nëse do t’i qëndronin strikt, do ta kishin të pamundur të punonin. Këtu ne jemi duke negociuar fort me Ministrinë e Shëndetësisë dhe ministren”, tha Shalsi. “Po luftojmë fort që ta lehtësojmë protokollin e kuq, duke qenë se jam i vetëdijshëm, të paktën me një pjesë të fasonistëve që kam vizituar, kushtet i kanë transformuar, që unë besoj se duhet liruar pak protokolli i kuq”./A2CNN