Probleme me aksesin dhe funksionimin e shërbimeve Outlook, Teams dhe Azure po raportohen në disa rajone, duke nxitur Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) të publikojë një njoftim për përdoruesit.
Sipas informacionit të raportuar nga Microsoft, ndërprerjet lidhen me ngarkesën e lartë në infrastrukturën e kompanisë dhe nuk kanë si shkak një incident kibernetik. AKSK bën me dije se po monitoron situatën dhe do të informojë për çdo zhvillim të mëtejshëm.
Megjithatë, autoriteti paralajmëron se situata mund të shfrytëzohet nga aktorë keqdashës për të mashtruar përdoruesit, përmes mesazheve dhe telefonatave që ofrojnë ndihmë të rreme për rikthimin e aksesit në llogaritë Microsoft. Në mënyrë të veçantë, përdoruesit këshillohen të tregojnë kujdes ndaj email-eve që kërkojnë rivendosjen e fjalëkalimit, SMS-ve që pretendojnë se llogaria është bllokuar dhe telefonatave nga persona që prezantohen si staf i mbështetjes teknike (IT Support).
Për të shmangur rrezikun e vjedhjes së të dhënave, AKSK rekomandon që përdoruesit të mos klikojnë në lidhje të dyshimta, por të aksesojnë shërbimet vetëm përmes faqeve dhe aplikacioneve zyrtare. Gjithashtu, nuk duhet të ndajnë fjalëkalime, kode verifikimi apo të dhëna konfidenciale dhe as të lejojnë persona të paverifikuar të ndërhyjnë në pajisjet e tyre. Institucionet dhe kompanitë këshillohen të verifikojnë çdo kërkesë për ndërhyrje teknike me stafin e tyre IT, të informojnë punonjësit për këto skema mashtrimi dhe të kontrollojnë planet e vazhdimësisë së punës, përfshirë aksesin në kopjet rezervë të dokumenteve dhe përdorimin e kanaleve alternative të komunikimit. AKSK u bën thirrje qytetarëve dhe bizneseve të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë në adresën elektronike [email protected].






