Tërheqja e investimeve të reja, zhvillimi industrial dhe përfshirja e Ballkanit Perëndimor në zinxhirët evropianë të prodhimit ishin në qendër të Konferencës së Dytë të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, që po zhvillohet në Tiranë. Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, prezantoi potencialet e Shqipërisë dhe propozoi një projekt të përbashkët me Bashkimin Evropian për përpunimin e lëndëve të para kritike, me synimin që rajoni të mos mbetet vetëm furnizues i tyre, por të krijojë produkte me vlerë më të lartë ekonomike.
Konferenca dyditore, e organizuar në bashkëpunim me Komisionin Evropian, ka mbledhur mbi 600 investitorë, sipërmarrës, përfaqësues të institucioneve financiare dhe vendimmarrës nga Bashkimi Evropian dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në fjalën hapëse, ministrja Ibrahimaj theksoi se objektivi është kalimi nga dialogu ekonomik te vendimmarrja konkrete për investime dhe mobilizimi i kapitalit për sektorët strategjikë. Duke iu referuar performancës së ekonomisë shqiptare, ajo bëri të ditur se gjatë gjysmës së parë të vitit 2026 ekonomia u rrit me rreth 3.6%, ndërsa investimet e huaja direkte arritën në 1.14 miliardë euro, në rritje me 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas ministres, synimi është që këto investime të sjellin përfitime afatgjata për ekonominë, përmes transferimit të teknologjisë, zhvillimit të furnitorëve vendas, rritjes së produktivitetit dhe krijimit të vendeve të punës me aftësi të specializuara.
Një nga propozimet kryesore të prezantuara në konferencë ishte shqyrtimi, në bashkëpunim me Komisionin Evropian, i mundësisë për zhvillimin e një Projekti të Rëndësishëm me Interes të Përbashkët Evropian (IPCEI), me përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nisma synon të krijojë sinergji mes burimeve natyrore, energjisë së pastër, kapaciteteve kërkimore dhe prodhuese të rajonit, duke i lidhur ato me nevojat strategjike të industrisë evropiane. Një fokus i veçantë do t’u kushtohet lëndëve të para kritike dhe përpunimit të qëndrueshëm të tyre.
Ibrahimaj propozoi gjithashtu nisjen e një vlerësimi të përbashkët teknik me Komisionin Evropian, shtetet anëtare të interesuara, kompanitë evropiane dhe partnerët rajonalë, për identifikimin e projekteve konkrete ndërkufitare me qëndrueshmëri tregtare. Në fokus të diskutimeve ishte edhe diversifikimi i burimeve të financimit për bizneset, përtej kreditimit tradicional bankar. Ministrja vlerësoi rëndësinë e zhvillimit të kapitalit sipërmarrës, kapitalit privat dhe instrumenteve alternative për mbështetjen e startup-eve dhe ndërmarrjeve të vogla e të mesme. Një tjetër drejtim ku Shqipëria synon të rrisë konkurrueshmërinë është zhvillimi i shërbimeve me vlerë të shtuar, si inxhinieria, programimi, shërbimet shëndetësore dhe logjistika. Këta sektorë konsiderohen me potencial për zgjerimin e eksporteve dhe përfshirjen e kompanive shqiptare në zinxhirët evropianë të vlerës.
Sa i përket bashkëpunimit rajonal, Ibrahimaj u ndal te Plani i Rritjes i BE-së dhe Tregu i Përbashkët Rajonal, të cilët synojnë të reduktojnë fragmentimin ekonomik dhe të lehtësojnë aktivitetin ndërkufitar. Sipas saj, integrimi i ekonomive të rajonit në një treg më të madh do të krijonte mundësi të reja për investitorët dhe do të rriste atraktivitetin e Ballkanit Perëndimor. Konferenca e Tiranës do të vijojë me prezantime të startup-eve, diskutime me investitorë, takime biznesi B2B dhe prezantimin e instrumenteve të reja të financimit dhe mbështetjes nga institucionet evropiane dhe financiare ndërkombëtare.







