Mbi 600 investitorë nga Europa dhe Ballkani Perëndimor janë mbledhur në Tiranë për Konferencën e Dytë të Investimeve Bashkimi Europian-Ballkani Perëndimor. Forumi dyditor, që zhvillohet më 25 dhe 26 nëntor, synon të krijojë mundësi të reja bashkëpunimi dhe financimi mes institucioneve financiare, investitorëve dhe sipërmarrjeve të rajonit.
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se aktiviteti ka tërhequr një numër të konsiderueshëm investitorësh, si dhe figura të njohura të politikës europiane dhe ekonomistë të mirënjohur.
Në mesin e pjesëmarrësve të nivelit të lartë janë ish-presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, dhe ish-kryeministrat italianë Massimo D’Alema dhe Enrico Letta, ky i fundit përmes një lidhjeje online. Në forum marrin pjesë gjithashtu përfaqësues të Bankës Botërore, Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Bankës Europiane të Investimeve (BEI), si dhe institucioneve të tjera financiare ndërkombëtare.
Diskutimet do të përqendrohen te mundësitë e financimit të sipërmarrjeve, nxitja e inovacionit dhe zgjerimi i investimeve në sektorë strategjikë, si energjia, teknologjia, infrastruktura digjitale dhe shërbimet. Një nga objektivat kryesorë është rritja e konkurrueshmërisë së ekonomive të Ballkanit Perëndimor dhe afrimi i tyre me tregun europian.
Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet edhe sipërmarrjeve inovative. Gjatë ditës së parë do të prezantohen gjashtë startup-e nga Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, të cilat do të paraqesin potencialin e tyre në fushën e inovacionit dhe zhvillimit teknologjik. Përfaqësues të fondeve të investimit dhe institucioneve financiare do të diskutojnë mbi mekanizmat për mobilizimin e kapitalit, financimin e zgjerimit të kompanive dhe mbështetjen e bizneseve inovative. Në fokus do të jenë gjithashtu perspektiva makroekonomike e rajonit, investimet në kapital dhe zhvillimi i infrastrukturës digjitale.
Ndërkohë, dita e dytë e forumit do t’i kushtohet kapitalit njerëzor, aftësive profesionale dhe produktivitetit, si faktorë të rëndësishëm për tërheqjen e investimeve. Një sesion i veçantë do të trajtojë teknologjitë e pastra dhe rolin e tyre në forcimin e konkurrueshmërisë së Ballkanit Perëndimor dhe integrimin industrial europian. Në panelin e nivelit të lartë, ku do të marrin pjesë Charles Michel, Massimo D’Alema dhe Enrico Letta, diskutimet do të përqendrohen te politikat industriale, e ardhmja e rritjes ekonomike dhe potenciali investues i rajonit në raport me konkurrueshmërinë europiane. Punimet e konferencës do të përmbyllen më 26 nëntor me fjalimet e kryeministrit Edi Rama dhe komisioneres europiane për Zgjerimin, Marta Kos.
Përmes këtij aktiviteti synohet të forcohet bashkëpunimi ekonomik mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke krijuar ura të reja mes investitorëve, institucioneve financiare dhe bizneseve për zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe mobilizimin e kapitalit në rajon.







