Ka hapur dyert në Pallatin e Kongreseve “Future2Tech”, panairi më i madh në Shqipëri për inovacionin, teknologjinë dhe edukimin.
“Janë 18 panele diskutimi mbi tema si siguria kibernetike, ekonomia qarkulluese, digjitalizimi, automatizimi, pagesat digjitale, fintech e kështu me radhë”, shprehet Enejda Sheku, organizatore e “Future2Tech”.
Me pjesëmarrjen e ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ministrit për Punët e Brendshme, Ervin Demo, në partnerit me Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, mbi 120 kompani lider nga Shqipëria dhe Ballkani prezantojnë risitë në elektronikë, softuer, telekomunikacion, inteligjencë artificiale dhe robotikë.
“Këtë vit kemi sjellë edhe diçka shumë të veçantë. Në kompeticionin e start-up që ne ja dedikojmë çdo vit, Startup World Cup Albania. Fituesi i startup-it do të përfaqësojë Shqipërinë në finalen globale në San Francisco për një investim prej 1 milion dollarësh”, thotë Gerti Boshnjaku, organizator i “Future2Tech”.
Future2Tech vjen në një moment kur adoptimi i teknologjive të reja po përshpejtohet me “Raiffeisen Bank” që bëhet i pari institucion financiar në Shqipëri që do të bëjë të mundur ndërveprimin me asetet digjitale dhe kriptomonedhat.
“Raiffeisen Bank International dhe Bitpanda kanë firmosur një marrëveshje për të përfshirë asetet digjitale dhe kriptomonedhat në të gjithë rrjetin tonë të Raiffeisen Bank. Jam shumë krenar që Raiffeisen Bank Albania do të jetë banka e parë që do të mundësojë ndërveprimin me asetet digjitale dhe kriptomonedhat në Shqipëri, së bashku me partnerin tonë Bitpanda, në një mënyrë të sigurt dhe në një mjedis të besueshëm, duke respektuar bazën ligjore të Bashkimit Evropian dhe atë vendase”, thotë Christian Canacaris, CEO i Raiffeisen Bank.
Future2Tech synon të vërë një “gur themele” për Shqipërinë drejt ekonomisë qarkulluese, duke krijuar mundësi për diskutim, ekspozim të teknologjive të reja, networking dhe lidhje të reja mes biznesit, institucioneve, investitorëve, startup-eve dhe akademisë.
“Është një mundësi shumë e mirë për ne për të parë se si inovacioni mund të na ndihmojë për të shkuar nga ekonomia lineare te ajo qarkulluese. Ne ndihmojmë pushtetin vendor dhe bizneset për të ecur më shpejt në këtë drejtim me anë të projektit të BE-së për Ekonominë Qarkulluese dhe Qytetet e Banueshme që zbatohet nga GIZ Shqipëri”, thotë Marcel Thomkins, GIZ Shqipëri.
Panairi do të zhvillohet në 2 ditë disa zona që do t’i dedikohen një programi të larmishëm aktivitetesh, duke filluar nga “Event Zone”, një hapësirë që do t’i kushtohet trajtimit të çështjeve të rëndësishme me të cilat përballet shoqëria jonë sot







